TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kanë mbetur edhe 2 ditë nga përfundimi i afatit për aplikimin e Marrëveshjes të Paqes Fiskale. Bizneset kanë kohë deri më 5 qershor për të paraqitur kërkesën e tyre në e-Filing për përfshirje në këtë skemë.
Pavarësisht kohës së kufizuar për kryerjen e aplikimeve (aplikimet nisën më 15 Maj 2026 dhe mbyllen më 5 Qershor), Monitor mëson se nga administrata tatimore nuk pritet të ketë shtyrje të afatit të aplikimeve.
Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë një takimi informues me bizneset anëtare të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHA), kanë sqaruar se zgjatja e afatit do të shkurtonte periudhën minimale njëvjeçare të zbatimit të marrëveshjes për tatimpaguesit.
Shtyrje të afateve për zbatimet e dy ligjeve, të marrëveshjes së paqes fiskale dhe fshirjes së detyrimeve u kërkuan edhe kontabilistët dhe ekspertët e auditit.
Audituesi ligjor Bujar Bendo pohoi më herët për Monitor se udhëzimet e ligjeve janë miratuar dy muaj me vonesë, ndërsa afatet për zbatimin e tyre janë shumë të kufizuara, “çka mund të krijojë shumë probleme me zbatueshmërinë e procesit”, pohon ai.
Edhe kontabilisti Sotiraq Dhamo vlerësoi më herët se bizneset kanë shumë pak kohë për të përfituar nga falja e detyrimeve dhe gjobave.
Paqja fiskale dhe ligji i faljes, afatet e shkurtra rrezikojnë zbatimin; Ekspertët kërkojnë shtyrje
Ndërkohë DPT sqaroi se deri më 10 qershor do të përfundojë procesi i verifikimit të dokumentacionit të aplikantëve. Sipas informacioneve paraprake mësohet se interesi i bizneseve për të aplikuar për marrëveshjen e paqes fiskale nuk është i lartë.
Krahas nënshkrimit të marrëveshjes bizneset mund të kryejnë edhe rideklarimin e pasqyrave financiare kundrejt tatimit 5%.
Sipas sqarimeve të administratës tatimore në takimet e zhvilluara me bizneset rideklarimi i pasqyrave financiare lejohet vetëm një herë për vitet 2023–2025 dhe duhet të përfundojë deri më 30.06.2026. Kushti kryesor për rideklarimin e pasqyrave është që biznesi duhet të ketë lidhur marrëveshjen e paqes fiskale me tatimet.
Po ashtu subjektet mund të ndryshojnë deri në 30% të zërave të aktiveve, detyrimeve dhe kapitaleve pa gjoba apo kamatëvonesa, por me pagesë tatimi 5% për çdo ndryshim. Procesi dorëzohet në e-Filing dhe synon korrigjimin e deklarimeve financiare të mëparshme.
Afatet dhe shembulli për zbatimin e ligjit të marrëveshjes së fiskale
Qëllimi
-Ligji synon rritjen e përmbushjeve vullnetare të detyrimeve tatimore
-Synon formalizimin e ekonomisë dhe reduktimin e informalitetit
-Krijon një marrëdhënie më bashkëpunuese ndërmjet administratës dhe tatimpaguesit
-Parashikon një mekanizëm të kontrolluar për deklarimin korrekt dhe rritjen e fitimit të tatueshëm
-Nuk përbën amnisti penale për vepra që lidhen me pastrimin e parave apo mashtrimet fiskale
Subjektet që mund të aplikojnë
-Tatimpaguesit që deklarojnë TAK ose TAPB me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë
-Që kanë dorëzuar deklaratat vjetore tatimore
-Pa detyrime tatimore të papaguara ose të padeklaruara
-Që nuk janë në proces apelimi administrativ
-Që nuk janë subjekt i procedimeve penale për vepra në fushën tatimore
-Nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim të produkteve të veprës penale ose fshehje të ardhurash
-Nuk janë subjket hetimi nga administrata tatimore
-Nuk realizojnë projekte koncensionare
Hartimi i marrëveshjes
-Inspektori harton draftmarrëveshjen
-Fitimi i tatueshëm llogaritet: fitimi i vitit paraardhës x1.18
-Përcaktohen këstet paraprake për periudhën e mbetur të vitit: qershor -dhjetor 2026 dhe janar -mars 2027
-Përfshihet e drejta për rideklarimin e pasqyrave financiare
-Drafti nënshkruhet nga DRT dhe i dërgohet tatimpaguesit.
-Procesi zgjat jo më vonë se 10.06.2026
Tatimpaguesi
-Pranon marrëveshjen duke e nënshkruar, vulosur dhe ngarkuar në e-filing – jo më vonë se 15.06.2026.
(Nëse nuk realizohet brenda këtij afati apo refuzohet, marrëveshja nuk konsiderohet e nënshkruar dhe detyrimet vijojnë sipas rregullave të përgjithshme.)
-Paguajnë këstin e parë deri më 30.06.2026.
Rideklarimi i pasqyrave financiare
-I lejueshëm për vitet 2023, 2024 dhe 2025.
-Lejohet vetëm një herë.
-Mund të ndryshohen elemente të aktiveve, detyrimeve dhe kapitaleve.
-Nuk aplikohen gjoba dhe kamatëvonesa administrative.
-Deklaratat e ndryshuara dorëzohen në e-Filing.
-Nëse bëhet rideklarim i pasqyrave:
-Dorëzohen në e-Filing deklaratat përkatëse të ndryshuara.
-Kryhet pagesa e tatimit 5% për çdo zë të ndryshuar.
-Dorëzohen në e-Filing pasqyrat e ndryshuara.
-Afati i rideklarimit: deri më 30.06.2026.
Shembull i tatimeve për llogaritjen e fitimit sipas marrëveshjes së Paqes Fiskale
Shoqëria “ABC Consulting” sh.p.k ka deklaruar fitim të tatueshëm për vitin 2025 në vlerën 12,000,000 lekë.
Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale, fitimi minimal i kërkuar për vitin 2026 llogaritet:
12,000,000 × 1.18 = 14,160,000 lekë.
Norma standarde e tatimit zbatohet mbi fitimin deri në 14,160,000 lekë (me kosto paraprake të llogaritur me Planin e Parapagimeve).
Shoqëria realizon fitim faktik në fund të vitit 2026 prej 17,500,000 lekë.
Fitimi shtesë mbi nivelin e marrëveshjes është:
* 17,500,000 – 14,160,000 = 3,340,000 lekë.
Mbi këtë diferencë aplikohet norma preferenciale 5%.
Tatimi shtesë = 3,340,000 × 5% = 167,000 lekë.
Shoqëria ka zgjedhur gjithashtu të rideklarojë elemente të aktiveve afatgjata për vitin 2024.
Rideklarimi kryhet vetëm një herë dhe pa penalitete administrative./Monitor