TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Himara, kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis ka shprehur mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe ka premtuar përmbushje të të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë. Duke mos e fshehur entuziazmin për pritjen,31 vite pas vizitës së babait të tij, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, që mbërriti me helikopter në Derviçan, u prit nga kryeministri Edi Rama, i cili u tha banorëve: 'Ju premtova që do jua sjell dhe ua solla'.
“Sot është një ditë e rrallë për mbarë kombin grek. Mbaj mend shumë të gjallë kujtimin e takim e Mitsotakis në ’91. Dhe jam i nderuar që jam i pari kryeministër që kam vizituar Shqipërinë. Me mua Himara do të ketë jo vetëm një përfaqësues. Unë isha, jam dhe do të mbetem mbështetës ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë. Por duke përmbushur të drejtat tuaja, që rrjedhin nga minoriteti. Qeveria greke do të jetë pranë jush në përmbushje të të drejtave të kombësisë, mësimit në gjuhën greke të fëmijëve tuaj dhe të drejtat tuaja pronësore. Betohem se do t’i mbroj të gjitha të drejtat tuaja”, tha Mitsotakis.
Kreu i qeverisë greke është pritur me entuziazëm nga banorët e Himarës me veshje tradicionale të Epirit të Veriut, muzikë tradicionale dhe flamuj grekë. Gjatë fjalimit të tij, u dëgjuan thirrjet e banorëve: “Greqi, Greqi na mbulo dhe ne!”. Një ditë të madhe për Himarën e ka konsideruar kreu i OMONIA-s Fredi Beleri vizitën e kryeministrit grek Mitsotakis. Beleri e priti së bashku me Vangjel Dulen, ndërsa mungoi kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, që tha për mediat se nuk kishte pse të ishte i pranishëm pasi pritjen e organizuan Dule dhe OMONIA.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar minoritetin grek si urë të pazëvendësueshme të lidhjes mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në fjalën e tij në Dervican u shpreh se pakica kombëtare është e rëndësishme për ekonominë.
“Nuk dua të zgjatem por vetëm të them që për ne, minoriteti është një urë e pazëvendësueshme e lidhjes së pazgjidhshme mes 2 vendeve tona dhe me shumë mirënjohje dua ti përshëndes të gjithë qytetarët si ju me kombësi greke që i kanë dhënë shumë komunitetit, vendit dhe falë lirisë e hapjes së kufijve pas një periudhe të gjatë, mund të lëvizin lirisht mes kësaj dhe asaj ane të kufirit dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që përfaqësuesit e këtij komuniteti janë ndër më të rëndësishmit në ekonominë tonë”, tha Rama.
Rama ka mbajtur fjalën e tij para minoritetit grek në Dervican duke thënë se homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis duhet të zhvillonte vizitën që me datë 7 dhjetor, por moti ishte i keq. Nuk kurseu edhe batutën për banorët e Dervicanit duke thënë se të gjithë banorët mund të jenë lutur për diellin e bukur.
“Ju kisha premtuar që do ta sillja këtu të birin e të atit, ja ku e keni. Është vërtetë prekëse dhe për mua që nuk jam pjesë e minoritetit që të jem sot këtu pas thuajse 30 vjetësh që i pari dhe i fundit kryeministër i Greqisë ndaloi për të përshëndetur vëllezërit dhe motrat në minoritet, i ndjeri babai i kryeministrit aktual, i cili ka pritur këtë ftesë. Duhet të vinim të nesërmen e datës 6 kur kishim samitin e BE në Tiranë, por moti ishte jashtëzakonisht i keq dhe kështu u detyruam që ta shtyjmë. Nuk besoj se ka ditë më të bukur për të ardhur këtu se sa në një vigjilje Krishtlindjesh. Dua t’i falenderoj të gjithë banorët e Dervicanit dhe kryetarin e Bashkisë që ka siguruar bashkë me ju, se di si e keni realizuar që të jetë ky diell kaq i bukur, me siguri me lutje e këmbëngulje. Faleminderit për këtë mikpritje fantastike, e gjitha është për kryeministrin. Po përfitoj ta shijoj dhe unë këtë pamje të bukur”, tha Rama.