AKTUALITET, 28 Qershor 2025, 13:17

Balluku në Forumin Global të Transportit në Stamboll: Shqipëria ngjitet në një nivel të ri me projektet e porteve

Balluku në Forumin Global të Transportit në Stamboll:

Nën kujdesin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe me pjesëmarrjen e rreth 70 ministrave nga mbarë bota, në Stamboll u zhvillua Forumi Global për Transportin dhe Ndërlidhjen – një ngjarje ndërkombëtare me peshë që synon të ndërtojë ura bashkëpunimi për të ardhmen e infrastrukturës globale.

Shqipëria u përfaqësua nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila prezantoi progresin e vendit në sektorët e transportit rrugor dhe aviacionit civil, si dhe projektet madhore të ndërmarra në infrastrukturën portuale.

“Kam prezantuar progresin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në transportin rrugor, në aviacionin civil, si dhe projektet e reja për portet, të cilat e kanë futur vendin tonë në një listë të vendeve të zhvilluara,” u shpreh ministrja Balluku gjatë fjalës së saj.
Ajo theksoi se këto projekte po e pozicionojnë Shqipërinë si një nyje e rëndësishme ndërlidhëse në rajon, duke i dhënë vendit një rol të ri strategjik në hartën e transportit ndërkombëtar.

Forumi u fokusua në sfidat aktuale dhe zgjidhjet teknologjike në fushën e transportit, përfshirë elektrifikimin e hekurudhave, zhvillimin e flotave elektrike, krijimin e porteve të gjelbra dhe lidhjen e tyre me portet e thata për të mundësuar zinxhirë të qëndrueshëm furnizimi.

“Transporti multimodal është kthyer në një nevojë jetësore për çdo ekonomi që synon zhvillim të qëndrueshëm. Kjo është një çështje që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe kërkon bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar,” theksoi Balluku.
Në forum u riafirmua rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar, duke u theksuar se projektet infrastrukturore sot kanë ndikim dhe përfitime shumëdimensionale që shkojnë përtej interesave kombëtare.