TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për nisjen e një fushate hakmarrjeje politike ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit që hetuan rastin e njohur si “treni bullgar” në Peqin, ku u dokumentua dyshimi për blerje vote gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin e PD-së, Genta Vangjeli, tha se pas referimit të çështjes nga Policia e Elbasanit në Prokurori dhe nisjes së hetimeve për rastin e publikuar me video nga Sali Berisha, disa efektivë policie janë përballur me masa ndëshkuese.
Sipas Vangjelit, nën urdhra politikë të kryeministrit Edi Rama dhe në drejtimin e Ilir Prodës, strukturat drejtuese të Policisë kanë ndërmarrë veprime disiplinore kundër zyrtarëve që vepruan ligjërisht.
Në deklaratë përmenden konkretisht:
Nisja e një procedimi disiplinor ndaj shefit të krimit ekonomik në Elbasan, Kliton Zhari;
Pezullimi nga detyra i nëndrejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan, Sadik Kateshi;
Transferimi dhe procedim disiplinor ndaj shefit të krimeve të Komisariatit të Peqinit, Denis Sinani.
Sipas PD-së, këto masa janë hakmarrje ndaj zyrtarëve që nuk pranuan të heshtnin përballë manipulimit të zgjedhjeve dhe kryen detyrën me profesionalizëm.
Nga ana tjetër, PD denoncon edhe promovimin e figurave të përfshira sipas saj në “farsën zgjedhore”, si në rastin e Krenar Guçes, i cili është shpërblyer me poste të reja.
"Partia Demokratike dënon me forcë këtë sjellje arbitrare dhe paralajmëron se çdo rast i abuzimit me pushtetin do të dokumentohet dhe do të ndëshkohet sipas ligjit", përfundon deklarata.
Deklarata e plotë
Partia Demokratike dënon hakmarrjen politike ndaj efektivëve që zbatuan ligjin.
Nisur nga deponimet e strukturave të Partisë Demokratike në lidhje me vijimin e procedimit penal të iniciuar pas publikimit të një videoje nga drejtuesi i opozitës, z. Sali Berisha, ku dokumentoheshin materiale zgjedhore dhe para në një lokal në fshatin Pekisht të Peqinit, ju bëjmë me dije se:
Pasi Policia e Elbasanit referoi çështjen në Prokurori dhe kjo e fundit vijoi procedurat për ndjekjen penale të rastit, strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në funksion të një fushate hakmarrjeje politike.
Nën urdhrat politikë të Edi Ramës dhe me drejtimin e Ilir Prodës në Policinë e Shtetit, është ndërmarrë një seri masash disiplinore dhe ndëshkuese ndaj efektivëve që guxuan të veprojnë në përputhje me ligjin.
Konkretisht sipas informacionit të sjellë nga deputeti i zgjedhur, z.Blendi Himçi :
Është nisur procedim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve ndaj shefit të krimit ekonomik në Drejtorinë e Elbasanit, Kliton Zhari;
Është pezulluar nga detyra nëndrejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Sadik Kateshi;
Procedim disiplinor dhe transferim për shefin e krimeve të Komisariatit të Peqinit, Denis Sinani.
Këto masa përbëjnë një akt të pastër hakmarrjeje politike ndaj efektivëve që refuzuan të heshtin përballë manipulimit të zgjedhjeve dhe që ushtruan detyrën e tyre me ndershmëri dhe profesionalizëm.
E nga ana tjetër emra si Krenar Guçe, promovohen me poste si shpërblim për shërbimin në funksion të farsës zgjedhore zhvilluar në 11 Maj.
Partia Demokratike dënon me forcë këtë sjellje arbitrare dhe paralajmëron se të gjitha rastet e abuzimit me pushtetin do të dokumentohen dhe do të ndëshkohen sipas ligjit.