AKTUALITET, 28 Qershor 2025, 11:57

Abuzimet me tenderat në UBT, SPAK përfundon hetimet: 28 të pandehur, mes tyre pedagogë dhe biznesmenë

Abuzimet me tenderat në UBT, SPAK përfundon hetimet: 28 të

SPAK ka përfunduar hetimet për një skandal të rëndë korrupsioni në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke marrë të pandehur 28 persona, përfshirë pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, nën akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Sipas gazetares Klodiana Lala, dosja e hetimit pritet t’i kalojë së shpejti gjykatës. Në fokus të çështjes janë nëntë procedura prokurimi të zhvilluara gjatë vitit 2022 me një vlerë të përgjithshme prej 90 milionë lekësh.

Hetimet, të kryera me metoda speciale si përgjime telefonike, vëzhgime dhe analizë të dokumentacionit, zbuluan se zyrtarë të UBT-së, përfshirë anëtarë të njësisë së prokurimit dhe të komisioneve të vlerësimit të ofertave, kanë bashkëpunuar me titullarin e institucionit për të favorizuar në mënyrë të paligjshme tre operatorë ekonomikë: “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”.

Sipas SPAK, kompanitë kanë dorëzuar oferta të falsifikuara në emër të subjekteve të tjera për të fryrë fondin limit dhe për të justifikuar çmime të pajustifikuara, pa asnjë studim tregu. Në disa raste, pajisje dhe mallra janë dorëzuar përpara hapjes zyrtare të tenderëve, çka tregon për paracaktim të fituesve dhe zhvillim fiktiv të procedurave.

Prokuroria thekson se dokumentacioni standard i tenderëve, përfshirë specifikimet teknike dhe termat e referencës, është hartuar në bashkëpunim mes zyrtarëve të universitetit dhe operatorëve ekonomikë, në shkelje flagrante të ligjit për prokurimet publike.