AKTUALITET, 28 Qershor 2025, 09:25

Operacioni “SKY ECC” godet sërish/ Shkatërrohen dy grupe kriminale në Greqi, 4 të arrestuar, 2 në kërkim. Oficeri i lartë grek në shërbim të shqiptarit (Emri)

Operacioni “SKY ECC” godet sërish/ Shkatërrohen dy grupe

Policia greke ka zhvilluar një tjetër operacion të suksesshëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke goditur dy grupe të strukturuara kriminale që vepronin në vitet 2020–2021. Hetimet u nxitën nga analiza e komunikimeve të përgjuara në aplikacionin e koduar “Sky ECC”, i cili u përdor nga anëtarët e këtyre rrjeteve për të organizuar aktivitetin e tyre kriminal. Sipas autoriteteve greke, ky është operacioni i tretë që çon në zbërthimin e këtyre grupeve, ku janë arrestuar katër persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Mes të dyshuarve rezulton të jetë edhe një ish-oficer i lartë i policisë greke, i cili kishte dalë në pension në dhjetor të vitit 2024 me gradën Nënkolonel A, pas një karriere në strukturat e sigurisë në Athinën Perëndimore dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Athinës. Nga hetimet është zbuluar se ky oficer ka bashkëpunuar ngushtë me shqiptarin e shumëpërfolur në botën e krimit, Marius Diamanti alias Mario Diamanti, i cili u ekzekutua në nëntor të vitit 2021 jashtë një karburanti në pronësi të tij në zonën e Nikaia-s në Athinë.

Në bazë të të dhënave të siguruara përmes “Sky ECC”, rezulton se anëtarët e grupeve kriminale, përfshirë edhe oficerin grek, ishin përfshirë në rrjete ndërkombëtare për furnizimin, ruajtjen dhe trafikimin e sasive të mëdha të marijuanës dhe kokainës në Greqi, si edhe në blerje e shitje të paligjshme të armëve të zjarrit, përfshirë pistoleta dhe armë luftarake. Oficeri kishte ndërmjetësuar gjithashtu në blerjen e kallashnikovëve për llogari të Diamantit, duke përdorur kontaktet e tij me një person të paidentifikuar. Ai gjithashtu kishte ndihmuar një emigrant nga Gjeorgjia që ishte pjesë e të njëjtit rrjet, duke i garantuar mbrojtje dhe shmangie nga masat ligjore, ndërkohë që u jepte informacione dhe udhëzime anëtarëve të rrjetit për të mos rënë në duart e policisë.

Gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të operacionit, policia greke sekuestroi mbi 41 mijë euro para cash, disa telefona celularë, një automjet të përdorur për trafikun e drogës dhe një kartë identifikimi policie e deklaruar më parë si e humbur nga oficeri në fjalë.

Ndërkohë, emri i Mario Diamantit, i cili mbetet një figurë kyçe e botës së krimit shqiptar në Greqi, del sërish në qendër të vëmendjes. Ai ishte arrestuar në të kaluarën për trafik kokaine, akuzuar për vrasje në vitin 2010 ku më pas u shpall i pafajshëm, dhe ishte përfshirë në disa çështje kriminale në ishullin e Mykonosit, ku ndonëse arrestohej, lirohej me masë detyrim paraqitje. Ai gjithashtu ishte përfshirë në një rrjet të madh falsifikimi dokumentesh që pajiste trafikantë dhe vrasës me identitete të reja, përfshirë një pasaportë të rreme me emrin Stergios Maznevidis që dyshohet se e kishte përdorur personalisht. Pas vdekjes, në maj 2023, Diamanti u përmend si autori kryesor i vrasjes së belgut Kristof Waegeman në Athinë, një trafikant i njohur ndërkombëtar që kishte lidhje me grupin famëkeq të drogës “Mackerel” dhe ishte dënuar më parë me 12 vite burg në Belgjikë për trafik kokaine nga Amerika Latine.