TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur grupin e komunikimit në WhatsApp ku ishin të përfshirë gazetarët që mbulojnë aktivitetin e saj.
Pas hyrjes në fuqi të rregullores së re për aksesin e medias në proceset gjyqësore, gazetarët kanë vendosur të mos plotësojnë formularët e akreditimit të kërkuar nga gjykata, duke kundërshtuar kufizimet e reja.
Grupi në WhatsApp përdorej për komunikimin e njoftimeve dhe informacioneve mbi seancat gjyqësore, duke shërbyer si një kanal praktik për gazetarët dhe redaksitë që ndjekin proceset në GJKKO.
Rregullorja e re, e cila hyri në fuqi më 1 shtator, parashikon që gazetarët që duan të ndjekin seancat duhet të jenë të pajisur me një kartë të posaçme akreditimi të GJKKO-së. Nëse gazetari i akredituar mungon dhe redaksia dërgon një koleg tjetër, ky i fundit konsiderohet pjesë e publikut dhe mund të hyjë në sallë vetëm nëse ka vende të lira.
Përveç sistemit të akreditimit, rregullorja kufizon edhe përdorimin e telefonave celularë, regjistruesve dhe kamerave brenda sallës së gjyqit, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si media mund të raportojë në kohë reale nga proceset gjyqësore.
Pikërisht për këto arsye, gazetarët që mbulojnë GJKKO-në kanë rënë dakord që, të paktën deri në një moment të dytë, të mos plotësojnë formularët e akreditimit dhe i kanë kërkuar gjykatës rishikimin e rregullores.
Ndërkohë, çështja është ndjekur edhe nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila ka bërë të ditur se është në komunikim me GJKKO-në dhe po konsultohet me palë të tjera të interesuara.