AKTUALITET, 28 Qershor 2025, 10:14

Situata nga zjarret në vend, neutralizohen 9 vatra në 5 bashki

Situata nga zjarret në vend, neutralizohen 9 vatra në 5 bashki

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar në total 9 vatra zjarri në pesë bashki: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat.

Të gjitha zjarret janë shuar me sukses, pa shkaktuar dëme në njerëz, banesa apo bagëti.

Sipas raportit të AKMC, në gjashtë prej rasteve zjarri ka përfshirë zona me shkurre dhe barishte, ku janë djegur rreth 0.5 hektarë sipërfaqe.

Në dy raste zjarret kanë prekur banesa, konkretisht një në lagjen nr. 5 në Kavajë dhe një në fshatin Ishull Shëngjin, ku janë shkaktuar dëme materiale. Në rastin e Ishull Shëngjinit, një grua është lënduar si pasojë e një rrjedhjeje gazi dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës.

Gjithashtu, një automjet privat është përfshirë nga zjarri, duke pësuar vetëm dëme materiale.

Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 9 forca zjarrfikëse dhe 64 automjete.

Instituti i Gjeoshkencave parashikon për ditën e sotme mungesë reshjesh, ndërsa rreziku për përhapjen e zjarreve vlerësohet në nivel “të lartë” për qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, dhe në nivel “të moderuar” për qarqet e tjera.

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri dhe ndjek situatën me kujdes, ndërsa AKMC apelon te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë periudhës me temperatura të larta dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në kohë reale.