AKTUALITET, 10 September 2026, 14:20

Nga objektet e konfiskuara te banesat sociale, Rama prezanton reformën e re të strehimit

Qeveria prezantoi sot Programin e ri Kombëtar të Strehimit, që sipas kryeministrit Edi Rama nuk është thjesht një program financiar, por mishërimi i një reforme të thellë strukturore për strehimin në Shqipëri.

Sipas tij, reforma synon të ndryshojë qasjen ndaj strehimit, në një kohë kur familjet e reja dhe të rinjtë po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi për të siguruar një banesë. 

Kryeministri bëri të ditur se reforma parashikon gjashtë programe të reja, ndërsa i pari do të jetë ai i banesave sociale me qira. Sipas Ramës, skema do të zgjerohet dhe nuk do të mbështetet vetëm te ndërtimet e reja, por edhe te blerja e banesave në treg, përshtatja e objekteve shtetërore ose e objekteve të konfiskuara, si dhe te bonusi i qirasë dhe partneriteti publik-privat.

"Janë pjekur kushtet pas një pune instensive 1 vjeçare për të bërë publike piketat kryesore të programit të ri kombëtar të strehimit. Nuk është një program i ri kombëtar thjesht dhe vetëm financiar, por është një program i ri kombëtar si mishërim i një reforme strukturore shumë të thellë e cila tanimë ka marrë formën e draftit ligjor. Së shpejti do të kalojë në konsultim publik dhe pastaj në parlament, për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë e më të mprehtë për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në rrugën e marrjes së një shtëpie. Kjo nuk është një temë e nxehtë vetëm në Shqipëri, nuk është një problem vetëm lokal por një problem i madh europian dhe ka ndryshuar tërësisht optikën e njerëzve lidhur me vendin e tyre në këtë vend. Rilindja 2.0 është ngritur në një nivel tjetër dhe strehimin e ka aspektin e vet thelbësor. Janë 6 programe të reja të cilat ne do t’i adresojmë të gjitha sëbashku në një reformë tërësore. Programi i parë është ai i banesave sociale me qera. Është një skemë e mirënjohur e përdorur në vite por të cilën ne do ta qasim në një mënyrë të re. Dhënia e banesave sociale me qera do të jetë një program që do të bëhet më kompleks jo vetëm ‘prit të ndërtohet e pastaj të kësh shansin të marrësh një banesë’ ku nuk dihet si përfundon seleksioni. Këto banesa do të parashikojnë ndërtim  të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të konfiskuara..kemi konfiskuar jo pak dhe do të konfiskojmë çdo objekt që do të shkelë rregullat e lejes së ndërtimit. Patjetër dhe bonusin e qerasë dhe partneritetin publik privat, pra do të përdorim të gjitha instrumentat për të garantuar një ofertë të gjerë për ata që duhet dhe do të mund të marrin banesë sociale me qera" tha Rama.