TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar pjesërisht padinë e ish-prokurorit Ndini Tavani, duke urdhëruar Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) që të vijojë procedurat e verifikimit të figurës së tij, me qëllim vlerësimin e plotësimit të kritereve për emërim në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në dispozitivin e vendimit, gjykata ka vendosur:
“Shfuqizimin e vendimit nr.185, datë 31.07.2024 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, 'Për moscaktimin në detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar' të paditësit Ndini Tavani, si dhe vijimin e procedurës së verifikimit të figurës së tij.”
Megjithatë, gjykata ka rrëzuar pjesën tjetër të kërkesë-padisë, që lidhej me shfuqizimin e vendimit të KLP për emërimin e prokurorit Bledar Maksuti në SPAK, si dhe kërkesën për detyrimin e KLP-së që të emërojë vetë Ndini Tavanin në këtë pozicion.
Tavani i është drejtuar gjykatës pas përjashtimit të tij nga gara për prokuror në SPAK, duke e cilësuar vendimin e KLP-së të padrejtë dhe të pambështetur në një proces të plotë verifikimi.
Ky vendim i Gjykatës Administrative i hap rrugë rikthimit të çështjes për rishqyrtim nga KLP, por pa cënuar emërimin aktual në SPAK dhe pa i garantuar automatikisht Tavanit një vend në këtë strukturë të posaçme.