AKTUALITET, 19 Nëntor 2017, 11:13

Ahmetaj fshikullon ambasadorët: Për katër vite nuk keni sjellë asnjë investitor

Ahmetaj fshikullon ambasadorët: Për katër vite nuk keni

Pas kryeministrit Edi Rama edhe Ministri i financave, Arben Ahmetaj, ka kritikuar rëndë, ambasadorët për mosdhënien e ndihmës me qëllim kalimin e tranzicionit.

“Unë nuk kam marrë asnjë telefonatë nga ju, si grup, për të më provokuar të pres një investitor të mundshëm në zonat ekonomike. Fatkeqësisht, asnjë nga ju nuk më ka bezdisur. Fokusohuni për investitorë të rëndësishëm në fushën e turizmit tani që me paketën e re fiskale, ne heqim taksat për hotelet dhe resortet me 5 yje. Gjithashtu, kërkohen investitorë të mëdhenj për zonën ekonomike të Spitallës, ku do të ketë lehtësira fiskale”, është shprehur ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Sipas tij, statistikat tregojnë se investimet e huaja kanë kapur vlerën e 1.1 miliardë eurove. Gjatë fjalës së tij në konferencën vjetore të ambasadorëve, Ahmetaj tha se Shqipëria do të ketë 200 milionë euro minus nëse nuk do të ketë investime të huaja për të zëvendësuar investimet e TAP dhe atë të kaskadës së Devollit.

“Është TAP-i dhe Devolli që kanë ndikuar në rritjen e numrit në 1.1 miliardë. Sfida është që kur këto investime të mëdha kanë fazën e tyre të mbarimit të investimit dhe të kalimit, më pas, në operim, me çfarë do të zëvendësohen. Dhe kini parasysh se, nëse nuk do të bëjmë asgjë në gjetjen e investitorëve, qoftë të vegjël e qoftë strategjikë, atëherë në vitet 2019-2020- 2021, do të kemi një Gap prej 200 milionë dollarë nëse këto investime nuk zëvendësohen me të reja.”