TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Katër klane, 20 familje mafioze, katër politikanë me të kaluar kriminale.
Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i pëlqen të flasë me statistika dhe të përmendë emra.
Gjithmonë flet për kapjen e peshkut të madh.
Metafora është e bukur. Por, rrjeta ende nuk është gati. Premtimi i radhës është fillimi i vitit 2018. Për ta thurur atë kanë ardhur edhe agjentë specialë të FBI-së.
I
“Ajo që dimë gjithashtu është që Shqipëria ka një problem në lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë iu lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Roshit. Ky nuk është problem i vetëm një partie, ky është një problem që ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit”.
Fjalët janë të ambasadorit amerikan. Nga fjalimi i sotëm (7 nëntor 2017) në Ministrinë e Brendshme në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Dy nga katër politikanët i përkasin Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama: Elvis Roshi, ish-kryebashkiak i Kavajës, dhe Arben Ndoka, ish-deputet i Partisë Socialiste. Që të dy me të kaluar kriminale.
Elvis Roshi kishte përdorur katër emra të ndryshëm në Itali dhe Zvicër. Akuza: shfrytëzimi prostitucioni. U shkarkua, më 7 mars 2017. Gjithmonë Rama e quante “krimineli im i vogël”, kjo edhe për shkak të trupit të vogël të Roshit në raport me atë gjigant të Kryeministrit.
Arben Ndoka u akuzua për shfrytëzim prostitucioni. Ai e dha dorëheqjen si deputet, më 7 shtator 2017. Madje letra e dorëheqjes së tij u bë e famshme. Ndaj tij ka dhe një akuzë: ish-deputeti socialist Agustin Marku e akuzoi Ndokën se kishte ushtruar dhunë ndaj tij.
Në të gjitha rastet, Kryeministri Edi Rama – është në mandatin e tij të dytë – i ka mbrojtur të dy “kriminelët” e përmendur nga ambasadori amerikan.
Në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Arben Ndoka ishte aktiv. Madje u shfaq edhe në krah të Kryeministrit Edi Rama.
Mark Frroku, një ish-deputet dhe ish-kryetar i Partisë Kristian Demokrate është ende në burg, për një sërë akuzazh. Edhe ky aleat i Partisë Socialiste. Vëllai i tij, Arben Frroku, një kandidat për deputet është i dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë, për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Edhe Frroku i madh ka qenë shumë i afërt me Ramën.
Gentian Muhametaj, një ish-kandidat për kryetar bashkie në Këlcyrë, si përfaqësues i Opozitës (Partisë Demokratike), u tërhoq nga gara para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit 2015. I dënuar për trafik droge dhe prostitucion, vepra që i kishte fshehur duke mos i deklaruar në formularin e vetëdeklarimit, për ligjin e dekriminalizimit.
Asnjë nga këta të katërt nuk mund të konsiderohen “peshq të mëdhenj”, veçse disa figura lokale.
II
“Shqiptarët duhen të jenë krenarë që kanë larguar kriminelët nga Parlamenti. Në këtë drejtim, Kuvendi i 2017-ës është më i mirë se ai i 2013-ës”.
Fjalët janë të ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu. Nga fjalimi i mbajtur me rastin e 20-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës. 2 tetor 2017.
Lu përmendi dhe tre emrash trafikantësh të famshëm shqiptarë: Emiljano Shullazi, Lulzim Berisha dhe Klement Balili.
“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave”, tha ambasadori më i fuqishëm në Tiranë.
Emiljano Shullazi është në paraburgim (gjyqi i tij është shndërruar në një maratonë – mbi 15 seanca gjyqësore të shtyra); Lulzim Berisha ka dalë nga burgu (për atë u zhvilluan mbi 300 seanca gjyqësore) ndërsa Klement Balili është në kërkim.
As Shullazi, Berisha dhe Balili nuk janë peshqit e mëdhenj, me të cilët mund të mburrej ambasadori amerikan.
Por, a e ka seriozisht Lu për peshqit e mëdhenj?
Ai shpesh bën sikur nuk e shikon peshkun e madh, edhe pse e ka gjithmonë pranë...
TPZ.AL