TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia Demokratike i ka dërguar një letër, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit, ku listohen arsyet përse procedura e nisur nga Kuvendi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, është antikushtetues.
Partia Demokratike thekson se Kuvendi nuk është organi kompetent për të përcaktuar mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, por vetëm KLP, institucion i cili nuk është ngritur ende.
"Kuvendi sipas Kushtetutës në fuqi dhe të detyrueshme për zbatim, nuk është organi kompetent që konstaton (apo përcakton) mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Kuvendi, nuk e ka patur këtë kompetencë përpara ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 (të drejtë të cilën e ka patur Presidenti i Republikës), dhe nuk e ka këtë të drejtë edhe pas ndryshimeve kushtetuese (këtë të drejtë e ka KLP). Ligji nuk mund t’i njoh Kuvendit një kompetencë që Kushtetuta jo vetëm nuk ia ka njohur, por përkundrazi ia njeh shprehimisht KLP-së, ndërkohë që përpara ndryshimeve kushtetuese këtë të drejtë ia njihte Presidentit të Republikës, si institucion që inicionte procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm".
Partia Demokratike, shprehet se ka një dilemë lidhur me mbarimin e mandatit të Adriatik Llallës dhe se kjo dilemë zgjidhet vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe jo nga partitë politika apo ekspertët e lirë.
"Përgjigjen përfundimtare mbi këto dilema kushtetuese, që kanë të bëjnë me momentin se kur përfundon mandati i Prokurorit aktual të Përgjithshëm, nuk mund ta përcaktojë politika, shoqëria civile, ekspertët e lirë, apo Kuvendi. Përgjigjen mbi këto dilema kushtetuese, mund ta përcaktojë vetëm organi që parashikon Kushtetuta në fuqi, për deklarimin e mbarimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, që sipas nenit 148/c të Kushtetutës është KLP"
"shprehim qëndrimin tonë se deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues/ligjor të krijuar, apo deri në krijimin e KLP, është e pamundur që të procedohet me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm, sepse Kushtetuta nuk e parashikon një mundësi të tillë, ndërkohë që neni 109 i ligjit nr. 97/2017, rregullon një situatë tjetër dhe që aktualisht ka humbur fuqinë ligjore. Për pasojë, kërkojmë nga ana juaj, të ndërprisni menjëherë procedurën që keni nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, duke kërkuar vlerësimin/opinionin e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e këtij boshllëku kushtetues/ligjor.
PD shpreh shqetësimin për tentativën e politikës për kapjen e sistemit të drejtësisë.
"Cdo veprim i kundërt nga ana juaj, do të ishte provë e qartë e vullnetit tuaj të hershëm, për të siguruar kapjen politike të organeve të drejtësisë në përgjithësi, dhe organit të prokurorisë në veçanti, me qëllimin e vetëm për të siguruar nëpërmjet Prokurorit të Përgjithshëm të emëruar në kundërshtim me Kushtetutën, kontrollit politik mbi këtë institucion dhe frenimin e procedimeve penale ndaj zyrtarëve tuaj qeveritarë për veprimet kriminale e korruptive që kanë kryer."
/TPZ.AL/