AKTUALITET, 19 Shkurt 2019, 12:01

Zbardhet debati/ Çfarë thanë deputetët për djegien e mandateve në mbledhjen me dyer të mbyllura

Zbardhet debati/ Çfarë thanë deputetët për djegien e

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi unanimisht të mbështesë propozimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, për të djegur mandatet e deputetëve.

Vendimin e marrë pas protestës së 16 shkurtit, Basha ua arsyetoi edhe deputetëve të grupit të tij parlamentar, të cilët në mënyrë unanime vendosën të mandatojnë kreun e PD-së për të ndjekur hapat e mëtejshëm drejt finalizimit të këtij akti ekstrem politik.

DISKUTIMET NË GRUPIN E PD

Lulzim Basha: Të nderuar deputetë të Grupit Parlamentar! Zonja dhe zotërinj! Fillimisht, dua t’ju përgëzoj për angazhimin personal të gjithsecilit në aksionin politik përgjatë gjithë këtij muaji dhe protestën e organizuar më 16 shkurt.

Bashkimi i qytetarëve në atë protestë duhet lexuar me përgjegjësi dhe pjekuri politike.

Unë, angazhimin e qytetarëve në protestën më të madhe që ky vend ka pasur e kam parë si një përgjegjësi të lartë që duhet reflektuar në një vendimmarrje politike. Për këtë arsye, kam vendosur që t’i propozoj sot Grupit Parlamentar djegien e mandateve tona. Ky është një propozim që unë ia bëj grupit, është në dorën e gjithsecilit prej jush të japë opinionin dhe mendimin e tij dhe në fund do të marrim një vendim politik.

Ervin Salianji: T’i lëmë sa më parë mandatet, që sot të mos jemi më deputetë. Ajo që sjell ky vendim, më pas është një strategji e re politike. Duhet një angazhim i shtuar i secilit prej nesh në terren dhe me qytetarët. Në momentin që zhvishemi nga mandatet parlamentare, çdo përfaqësues politik i PD-së duhet të punojë 20 herë më shumë se më parë. Gjithsecili, për mua, duhet që këtë vendimmarrje ta shohë si një mundësi të shtuar për të shtuar aksionin e tij politik në raport me qytetarët.

Sali Berisha: Absolutisht ky është një vendim i paprecedentë dhe i domosdoshëm në situatën në të cilën ndodhet vendi. Çdo akt që na çon në rrëzimin e Edi Ramës është i vlefshëm. Unë prej kohësh kam bërë thirrje për përmbysje të Ramës përmes të gjitha formave të mosbindjes civile. Ky për të cilin ne po flasim është një akt i paprecedentë, por për shkak të situatës që ekziston s’ka asnjë zgjidhje tjetër. Rama si Kryeministër e meriton ballit. Jo vetëm bojën.

Gjuha që përdor ai në Parlament të detyron drejt reagimeve ekstreme. Por interesat e vendit janë më të mëdha se marrëdhënia me një të çmendur. Opozita ka provuar të gjitha format për ta bërë të reflektojë dhe të shkojmë drejt një zgjidhjeje politike, por ai ka refuzuar gjithçka. Duhet të kuptojmë të gjithë diçka. Një kryeministër po të dojë nuk e dorëzon pushtetin.

Pra, ka aq mjete në dorë sa të mos e mundësojë dorëzimin e pushtetit për palën kundërshtare. Por është logjika e Kryeministrit dhe maxhorancës që konsumohen, që lejojnë rotacionin politik. Gjë që Edi Rama s’e bën dhe nuk ka për ta bërë asnjëherë se është armik i votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira./ Panorama