AKTUALITET, 19 Shkurt 2019, 10:44

Pagoi për të vrarë gruan, Prokuroria jep vendimin për bashkëshortin e Suela Sulës dhe ekzekutorin

Pagoi për të vrarë gruan, Prokuroria jep vendimin për

Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi burgim të përjetshëm për të dyshuarin si ekzekutor i Suela Sulës në vitin 2016. Për të njëjtën ngjarje është dënuar nga Shkalla e Parë, edhe bashkëshorti i Suelës, Sadetin Sula.

Në seancën e sotme, prokuroria lexoi dëshmitë, provat materiale dhe shkencore, që sipas të cilës, ekzekutori është Fajton Karmeshtna dhe qëllimi i krimit është përfitimi material, pasi ka marrë shuma monetare të caktuara.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 18 prill të 2016, në tualetin e biznesit familjarë, mobilierisë Europa.

Hetimet

Suela Sula, 38 vjeçarja nëna e tre fëmijëve u gjet e mbytur në banjon e mobilierisë e cila ishte në bashkëpronësi me bashkëshortin e saj, Sadetin Sula.

U mendua se Sadetin Sula ishte personi që kishte mbytur me duar bashkëshorten e tij por hetimet e helluara zbuluan diçka tjetër.

Analiza e ADN-se zbuloi se ekzekutori material i krimit është Fatjon Karmeshta, punëtor në mobilieri por dhe njeriu me të cilin Sadetini kishte raporte të ngushta.

Që në momentin e arrestimit Sadetini ka mohuar të ketë qenë autori i vrasjes.

Suela u mbyt në fyt

Në dosje zbulohet: Më 18 prill 2016, rreth orës 12.30, në fshatin Melgushë, Njësia Administrative Bushat, Shkodër, në mjediset e brendshme të mobilierisë “Europa”, pikërisht në banjë, u gjend e vdekur bashkëpronarja zj.Suela Sula. Viktima ishte shoqëruar në mëngjes në vendin e punës nga bashkëshorti i saj, i pandehuri Sadetin Sula, i cili më pas provohet se u kthye në qytetin e Shkodrës.

Nga akti i ekspertimit mjekoligjor Nr.187, i kryer në orën 16.00 të datës 18.4.2016, mbi ekzaminimin e kufomës së viktimës Suela Sula, rezultoi se në trupin ne saj u konstatatuan dëmtime që shkaktohen nga shtrëngimi i qafës me duar.

Ekspertët mjekoligjorë konkluduan se vdekja e shtetases Suela Sula u shkaktua nga asfiksia mekanike nga shtrëngimi i qafës me duar dhe mjete të tjera. Krimi është kryer në harkun kohor 08.10-10.00 të datës 18.4.2016.

Një vit më pas më 7 prill 2017, i pandehuri Sadetin Sula u akuzua për kryerjen e krimit të vrasjes me dashje, për shkak të marrëdhënieve familjare, për motive xhelozie, në dëm të bashkëshortes së tij viktimës Suela Sula, parashikuar nga neni 79/c i KP.

Më 12.5.2017 çështja në ngarkim të tij u dërgua në gjyq dhe ndodhet në fazën e shqyrtimit gjyqësor të saj.

Telefonatat

Nga këqyrja e telefonit të viktimës u përftuan disa regjistrime audio, ku Sadetini bashkëbisedonte edhe me një person të quajtur Fatjon Karmeshtna, me të cilin rezulton se kishte një raport të ngushtë dhe bisedojnë për raportet e të pandehurit me bashkëshorten dhe dyshimet e tij rreth saj.

Hetimet u kryen nga Henrik Ligori, prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë

Si ra në grackë Fatjoni, shishja e ujit që tradhtoi autorin?

Gjatë hetimeve paraprake prokuroria kishte marrë në pyetje Fatjonin por ai kishte dhënë deklarime të rreme.

Prokuroria dyshonte se ishte ai ekzekutori material i krimit dhe e mori në pyetje.

Atëherë për të provuar faktin u kryen hetime më të thelluara në rrugë operative.

Në kërkesën e urdhrit të ndalimit të prokurorit Ligori thuhet: “Me anën e një shisheje uji që e përdori i dyshuari, me urdhër të prokurorit, u tentua të merrej material biologjik për të ndërtuar profilin gjenetik të AND-së së këtij shtetasi dhe për të kryer në vijim krahasimet e nevojshme.”

Ekpertimi biologjik i ADN-së u krye më 8 janar 2018.

Kjo profil gjenetik u krahasua profilin gjenetik të mbetjeve biologjike të marra nga thonjtë e dorës së djathtë të viktimës Suela Sula dhe ekspertët vërejtën përputhje të plotë.

Më 19 janar 2018 ekspertët arritën në konkludimin se: “Profili gjenetik i përftuar nga materiali human në grykën e shishes e cila është përdorur nga shtetasi Fatjon Karmeshtna, ekzaminuar me aktin Nr.141, datë 08.01.2018, është plotësisht i përfshirë në profilin miks të përftuar nga thonjtë e dorës së djathtë të kufomës së shtetases Suela Sula, ekzaminuar me aktin Nr.4619 datë 24.5.2016.”

“Ky konkluzion provon se viktima është përpjekur t’i rezistojë tentativës së të dyshuarit Fatjon Karmeshtna për ta mbytur dhe gjatë kontaktit fizik materiali biologjik i këtij të fundit ka mbetur i fiksuar në thonjtë e dorës së djathtë të viktimës”.

“Në këto rrethana, ka të dhëna të mjaftueshme se ekzekutori material i krimit të vrasjes me mbytje të viktimës Suela Sula është i dyshuari Fatjon Karmeshtna."

Me bindjen se Fatjoni “kreu krimin në bashkëpunim dhe me porosi të të pandehurit Sadetin Fadil Sula” prokuroria kërkoi arrestimin e tij.

Fatjon Karmeshta u arrestua sot ndërsa procedimi penal ndaj tij nisi më 17 janar 2018.