AKTUALITET, 4 Mars 2018, 12:54

Zbardhen amendamentet e PD, dënimet e deputetëve jo më nga Byroja e Kuvendit

Zbardhen amendamentet e PD, dënimet e deputetëve jo më nga Byroja

Kuvendi pritet të miratojë Kodin e Sjelles së Deputetëve, por që me konsensus  në seancën e 26 shkurtit, ku u miratua në parim, por jo nen për nen dhe në tërësi,  u vendos që në të do të përfshihen edhe propozimet që do të vijnë nga opozita.

Ndër të tjera, pr/ligji do të parashikojë rastet e dënimeve për deputetët, për të cilat deri më sot vendimin e jep Byroja e Kuvendit, me shumicë socialiste.

Referuar kësaj, demokratët mësohet se kanë propozuar që vendimet për ndëshkimin e deputetëve të mos i marrë Byroja, por Këshilli i Rregullores, Mandatet dhe Imunitetin.

Këshilli i Rregullores është organ me përfaqësim të barabartë maxhorancë-opozitë, çka do të thotë që për të ndëshkuar një deputetë do të duhet që të dakordësohen të dyja palët.

Partia Demokratike e konsideron këtë propozim si më të rëndësishmin, pasi i heq maxhorancës mundësinë që të ndëshkojë përfaqësues të opozitës sa herë që Partia Socialiste do të kërkojë të përjashtojë një deputetë opozitarë.

Aktualisht, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është me 9 anëtarë nga 10 gjithsej. Vakanca është krijuar pas dorëzimit të mandatit të deputetit demokrat, Eduard Halimi.

Kodin e Sjelljes së Deputetëve është një dokument i prodhuar nga misioni i OSBE-së që në vitin 2013 dhe ende pritet miratimi i tij.