AKTUALITET, 4 Mars 2018, 08:11

Vendimi, fëmijët nuk do të regjistrohen në kopshte e shkolla nëse nuk janë vaksinuar

Vendimi, fëmijët nuk do të regjistrohen në kopshte e shkolla

Fëmijët, të cilët nuk kanë kryer vaksinat nuk do të regjistrohen në çerdhe, kopshte e shkolla. Urdhëri duket se ka lidhje me emergjencën e fruthit, që ka përfshirë vendin prej më shumë se dy muajsh, ndërsa kategoritë më të prekura janë fëmijë të cilët nuk janë vaksinuar me vaksinën që bëhet kur foshnja mbush 1 vjeç.

Ministria e Arsimit ka urdhëruar që në institucionet e arsimit parauniversitar, vaksinat të jenë kushti kryesor për regjistrimin e fëmijëve.

“Për regjistrimin e fëmijës në kopsht paraqitet vetëm vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore. Në raste të veçanta, kur prindi nuk ka vërtetimin e vaksinimeve të fëmijës, drejtoresha e kopshtit i kërkon prindit t’i drejtohet qendrës përkatëse shëndetësore dhe pas marrjes së vërtetimit, e regjistron fëmijën”, përcaktohet në pikën 6 dhe 7 të nenit 5 të “Dispozitave normative për sistemin arsimor parauniversitar”.

Gjithashtu janë reduktuar edhe dokumentet që duhen për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë, nga 5 që janë aktualisht në vetëm dy, njëri prej të cilëve është ai i vaksinave.

“Për regjistrimin fëmijës në klasën e parë paraditen këto dokumente: vërtetim i vaksinimeve nga qendra shëndetësore dhe vërtetimi i ndjekjes së kopshtit sipas grupeve, i firmosur nga drejtoresha e kopshtit”.