AKTUALITET, 3 Mars 2018, 23:45

Zgjedhjet në Itali, Qendra e Djathtë e Berluskonit favorite në sondazhe

Të dielën, më 4 mars, më shumë se 46 milionë e gjysmë zgjedhës do të votojnë për Dhomën e Deputetëve, dhe thuajse 43 milionë votues për Senati e Republikës së Italisë.

DEPUTETË DHE SENATORË

Do të zgjidhen 618 deputetë dhe 315 senatorë, 18 nga votimet e italianëve që janë jashtë Italisë (12 deputetë dhe 6 senatorë).

Do të jetë një “Election Day”, siç preferojnë ta quajnë mediet italiane, pasi do të votohet edhe për rinovimin e Presidencës dhe Këshillave rajonalë të Lombardisë dhe Lacios.

 

KOALICIONET E PARTIVE

Nga Silvio Berluskoni, që synon një rikthim të bujshëm, dhe deri te Bebe Grillo i zhurmshëm, skena politike italiane është ndarë në katër grupime të mëdha.

Qendra e Majtë (Centro Sinistro) përbëhet nga Partito Democratike (Matteo Renzi), +Europa, Civica Popolare dhe Lista Insieme.

Qendra e Djathtë (Centro Destro) është e kompozuar nga Forza Italia (Silvio Berluskoni), Lega, Fratelli d'Italia, Noi con l’Italia.

Më vete janë “Lëvizja e Pesë Yjeve"  (Movimento Cinque Stelle) dhe “Të lirë dhe të barabartë” (Liberi e Uguali).

SONDAZHET

Sondazhet e kryera deri në Italia kanë dhënë një konfigurim tripolar të votës.

Koalicioni i qendrës së djathtë është midis 36 dhe 39%, përsa u përket preferencave, dhjetë pikë më shumë se sa koalicioni i qendrës së majtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet, të cilat kanë të dyja midis 26 dhe 29% të preferencave.