AKTUALITET, 3 Qershor 2019, 18:20

VIDEO/ Policët goditen fizikisht nga protestuesit, Balla: Basha e Berisha përgjegjës për urdhërimin e terrorit

VIDEO/ Policët goditen fizikisht nga protestuesit, Balla: Basha e Berisha



Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa publikon një video nga protesta e mbrëmshme e opozitës, ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe liderin historik të saj Sali Berisha, si përgjegjës për urdhërimin e terrorit.

Teksa publikon videon ku veç shashkave e kapsollave, protestuesit kanë goditur fizikisht disa efektivë, Balla shprehet se nuk ka asnjë vend tjetër në NATO, ku opozita pengon demokracinë.

“Policia e Shtetit Shqiptar dhe institucionet publike ishin sërish nën sulmet brutale nga protesta e PD, e cila degradoi në përdorimin e dhunës gjatë mbrëmjes së djeshme.

Lulzim Basha personalisht dhe kumbari i tij Sali Berisha janë përgjegjës për urdhërimin e terrorit. Nuk ka asnjë anëtar tjetër të NATO-s, ku opozita po pengon demokracinë”, shkruan Balla në Twitter.

https://twitter.com/i/status/1135528361990774784

Protesta e djeshme e opozitës zgjati 3 orë ku pati tym dhe flakë. 10 persona u plagosën. mes tyre 7 policë, 2 punonjës të medias dhe 1 qytetar. Basha  dje paralajmëroi se kjo është protesta e fundit, ku opozita kërkon largimin e qeverisë me logjikën e arsyes. Ndërkohë nga policia janë arrestuar 42 persona dhe 19 të tjerë janë shoqëruar.