AKTUALITET, 3 Qershor 2019, 18:02

Rama nga Kurbini: Nuk do të hapim rrugë

Rama nga Kurbini: Nuk do të hapim rrugë

Kryeministri Edi Rama duket i vendosur të futet në zgjedhjet lokale pa opozitën, duke mos hapur rrugë. Ai është shprehur se dhe shprehja e vjetër e popullit, ‘hapi rrugë, budallait’ nuk ka vend në këtë rast. Sepse nëse ndodh një gjë e tillë sipas Ramës, një tjetër parti mund të kërkojë më vonë të djegi mandatet dhe të dalë nga parlamenti.

“Nuk shkon as shprehja, ‘hapi rrugë budallait’ se mund të prishë punë. Imagjinoni sikur për një moment të vendosim dakord, hajde t’i hapim rrugë, s’ka gjë meqë s’doni të hyni në zgjedhje, po i shtyjmë, imagjinoni ç’ndodh nesër. Del partia tjetër thotë s’dua të hy në zgjedhje, del nga parlamenti e djeg mandatet.

Me çfarë sy e faqe do vijnë nesër të kërkojnë mandatin, kur mandati nuk varet më nga njerëzit, por nga tekat e partive. Këtë lloj rrumpalle, se veç kësaj s’kanë bërë gjë tjetër për Shqipërinë, ne nuk mundet, nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë. Ata janë pak dhe do jenë çdo ditë e më pak.” -theksoi Rama ndërsa komentoi edhe protestën e një ditë më parë në sheshin para godinës që ai vetë drejton.

“E patë ç’ndodhi dje dhe e patë c’ndodhi sot se si plaku që i mban lidhur, nxori në sytë e të gjithëve sikur dy protesuesit e djeshëm u masakruan nga policia, në fakt ishin masakruar nga ata vetë, huliganë me shkopa hekuri që iu shkaktuan gjithë ato dëmtime mu në mes të protestës. Si mund të shkojnë njerëzit, të përzihen në turmë ku disa vijnë me shkopa hekuri, gjithmonë e më pak do të jenë. Natyrisht që janë pak e do jenë gjithnjë e më pak, ne jemi shumë e do jemi gjithnjë e më shumë. Ata janë shumë dembelë, përtacë nuk e duan punën, po ta donin do e kishin bërë. I është dhënë rasti dy herë të drejtojnë Shqipërinë dhe e lanë dy herë më keq se çe gjetën”, u shpreh Rama.