TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila kishte nisur më 6 gusht, është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes deputetëve.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nisi punimet dhe ftoi kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, të paraqiste propozimin për kryetar të Kuvendit.
Kurti deklaroi se pavarësisht takimeve dhe komunikimeve të zhvilluara mes forcave politike, ende nuk është arritur një marrëveshje. Ai kërkoi më shumë kohë, me argumentin se synimi është shmangia e zgjedhjeve të reja.
“Takimet dhe komunikimi im si kryeministër në detyrë dhe kryetar i Vetëvendosjes kanë vazhduar dhe nuk kemi marrëveshje. Në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet, kërkojmë më shumë kohë”, tha Kurti.
Menjëherë pas deklaratës së tij, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, iu afrua dhe hodhi vezë në drejtim të Kurtit.
Veprimi shkaktoi kaos në sallë, pasi deputetë të grupeve të ndryshme politike u ngritën dhe nisën përplasjet fizike mes tyre. Përballë situatës së krijuar, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën.
Në sallë ndodheshin 109 deputetë, ndërsa rendi i ditës parashikonte shqyrtimin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Zgjedhja e kryesisë konsiderohet një hap kyç për konstituimin e plotë të Kuvendit dhe vijimin e procesit për krijimin e institucioneve të reja.
Incidenti ndodhi në një kohë kur institucionet e Kosovës ndodhen në një ngërç politik, ndërsa partitë nuk kanë arritur ende një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.