AKTUALITET, 28 Qershor 2018, 18:11

“Teatri drejt shembjes”, maxhoranca voton me urgjencë projektligjin. Basha: Po bëni masakër

Mazhoranca ka kaluar me procedurë të përshpejtuar futjen në kalendar të pr.ligjit për t’i hapur rrugë shembjes dhe ndërtimit të Teatrit të Ri, pavarësisht se opozita në Kuvend e ka kundërshtuar.

Futja në kalendar e pr.ligjit u votua me 74 vota pro dhe 44 kundër dhe më pas kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci njoftoi mbylljen e seancës plenare për sot.

teatri11

Kreu i PD, Lulzim Basha tha se qeveria duhet të tërhiqet nga kjo masakër sociale, madje ironizoi edhe me Toyota Yaris apo thithje me hundë.

“Tërhiqeni urgjentisht nga rendi i ditës ligjin që i vë minat Teatrit Kombëtar. Thirrini mendjes, rendi i ditës ka mbaruar. Ligjërisht mund ta sillni seancën tjetër, moralisht nuk duhet ta sillni më, s’ka asnjë urgjencë për t’i vënë minat teatrit përveç kaparit që keni marrë. E keni thith me hundë apo e keni marrë me Toyota Yaris vetëm tërhiquni nga teatri, s’ka rëndësi me çfarë e keni marrë, por tërhiquni se po i vini minat paqes sociale në vend”- tha Basha.

Kujtojmë se pak ditë më parë kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi se kishte arritur marrëveshjen me artistët për çështjen e Teatrit dhe ndërtimin e një teatri të ri në territorin e atij ekzistues.