SPORT, 29 Nëntor 2017, 10:24

SuperBotërori i Klubeve, detajohet plani i FIFA-s për turneun spektakolar

SuperBotërori i Klubeve, detajohet plani i FIFA-s për turneun

FIFA po mendon prej kohësh që të ndryshojë formatin e Botërorit të Klubeve që organizon çdo vit dhe me sa duket ka gjetur një formulë spektakolare për organzimin e tij, edhe pse në fakt do t’i duhet të presë disa vite deria ta vendosë në zbatim. Mediat spanjolle kanë zbuluar skemën me të cilën organizata që drejton futbollin në botë mendon të ndërtojë këtë aktivitet me 24 skuadra, që pritet të zhvillohet për herë të parë në verën e vitit 2021 (dhe çdo katër vite në vijim) kur nuk ka as Kampionat Botëror, as Europian dhe as Kupë të Amerikës Latine që mund të pengojë zhvillimin e tij.

Turneu përbëhet nga 8 grupe me 3 skuadra. Ekipi më i mirë i secilit grup kalon në fazën me eliminim direkt. Kjo do të thotë se skuadrat finaliste do të zhvillojnë në maksimum 5 ndeshje, në një turne që do të zgjatë vetëm 20 ditë. Mendohet që turneu i parë do të zhvillohet në Kinë.

EUROPA

Sipas planit, do të përfaqësohen të 5 kontinentet dhe Europa do të ketë 12 skuadra pjesëmarrëse. FIFA ka vendosur këto kritere për Europën: marrin pjesë katër fituesit e fundit të Champions bashkë me katër finalistet dhe 4 të tjerat me koeficientin më të miorë ndërkombëtar në listën e UEFA-s. Nëse klasifikimi do të mbyllej sot, skuadrat pjesëmarrëse do të ishin: Real Madrid, Barcelona, Atletiko Madrid, Juventus, Bajern Mynih, PSG, Sevilja, Mançester Siti, Borusia Dortmund, Benfika, Arsenal dhe Porto.

Amerika e Jugut

Mendohet se të njëjtat kritiere do të përdoren për të zgjedhur edhe skuadrat e Amerikës Latine, duke marrë katër fitueset e turneve të fundit kontinental si dhe ekipin me koeficientin më të lartë. Aktualisht ato janë  Atletiko Nacional, River Plejt, San Lorenco, Atletiko Mineiro dhe Boka Juniors.

Afrika

Nëse do të merreshin për bazë kampionet e aktiviteteve kontinentale, dy skuadrat e ftuara nga Afrika do të ishin Uijad Kazablanka dhe Mamelodi Sandaus.

Azia

Nga Azia, skuadrat që sot mund të merrnin pjesë në turne janë Uraua Red Dajmonds dhe Jeobunk Hjundai Motors.

Amerika e Veriut

Dy ekipet e ftuara sipas të njëjtës formulë do të ishin Paçuka dhe Amerika de Kali.

Oqeania

Nuk dihet ende nëse një skuadër nga ky kontinent do të marrë pjesë drejtpërdrejt në turne apo do të kalojë nëpërmjet ndonjë play-off, meqë ka diferenca të mëdha cilësore. Por nëse merr pjesë direkt, sipas formulës së mësipërme, do të ishte ekipi i Okland Siti ai që do të kualifikohej.