AKTUALITET, 3 Dhjetor 2017, 16:56

Super Inter, pesë gola për të kryesuar i vetëm Serinë A

Super Inter, pesë gola për të kryesuar i vetëm Serinë A

Një super Inter, dominues në gola dhe lojë, triumfoi sot me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Kievos, duke kryesuar bindshëm dhe i vetëm Serinë A pas ndeshjeve të javës së 15-të.

Portieri i Kievos, Sorrentino bllokoi një gjuajtje të Santonit, por nuk mundi t’i bëjë asgjë gjuajtjes së Ivan Perisiçit, i cili çeli serinë e golave në minutën e 23-të për 18-herë kampionët e Italisë.

Kapiteni Mauro Ikardi e dyfishoi rezultatin në të 38’ pas një shërbimi të Brozoviçit.

Ikardi është lojtari i tretë në historinë e Interit, që shënon të paktën 15 gola në katër kampionate rresht të Serisë A pas Stefano Nyers (1949-53) dhe Xhuzepe Meaca (1930-36).

Sërish mesfushori kroat shënoi emrin e tij me golin e dytë personal në të 57’, që pasi vodhi një top me zgjuarsi, realizoi me një diagonale të bukur

Tri minuta më pas, sllovaku Milan Shkriniar realizoi “pokerin zikaltër” me anë të një goli me kokë, pas krosimit të Kandrevës.

Ivan Perisiç realizoi “Hat Trick” në të 92’, duke fituar edhe të drejtën e pronësisë së topit të ndeshjes, duke e çuar atë në muzeun personal.

Interi është i vetmja ekip që nuk e njeh humbjen në 15 javët e para të këtij sezoni, duke qenë ai favoriti kryesor për fitimin e titullit, që mungon në shtëpinë zikaltër nga sezoni 2009-2010.

Pas ndeshjeve të javës së 15-të, Interi kryeson me 39 pikë, i ndjekur nga Napoli (38) dhe Juventusi (37).

Pikërisht, java e 16-të ofron përplasjen e dy gjigantëve italianë: Juventus-Inter, më 9 dhjetor (ora 20:45).

 

TPZ.AL