AKTUALITET, 31 Tetor 2017, 22:59

Sulmi terrorist në Nju Jork, 8 të vdekur dhe 15 të plagosur

 

Tetë persona kanë mbetur të vdekur gjatë një sulmi makabër në Manhattan të Nju Jorkut. Raportohet se agresori ka përplasur kalimtarët me kamionçinën e tij. Dëshmitarët pranë vendit të ngjarjes thonë se ka patur edhe të shtëna. Policia ka konfirmuar 8 viktima dhe rreth 15 të plagosur.

Mësohet se agresori ka thirrur "Allah Akbar", disa herë gjatë këtij sulmi. FBI dyshon se kemi të bëjmë me një sulm terrorist. Terroristi është qëlluar nga policia dhe më pas është arrestuar. Ai gjendet aktualisht në spital ku po merr ndihmën mjekësore.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, e ka quajtur sulmin "një akt terrorist frikacak kundër civilëve të pafajshëm".

Mësohet se agresori është një 29 vjeçar i quajtur Sayfullo Saipov, një emigrant që ka mbërritur në Amerikë në vitin 2010. Mediat amerikane raportojnë se agresori është nga Uzbekistani. Presidenti Trump ka reaguar nëpërmjet rrjetit social Twitter. Ai shkruan se sulmi është kryer nga një "person i sëmurë dhe i çmendur". Trump thotë gjithashtu se ISIS nuk do të lejohet të rikthehet apo të depërtojë në SHBA.
 /TPZ.AL/