Vizita e kryeministrit Edi Rama në Kamëz është komentuar nga kreu i kësaj bashkie, i cili ka akuzuar këtë të fundit për diskriminim të qytetareve përsa i përketë investimeve.
Mziu është ndalur njëkohësisht edhe në qëllimin e vizitës së Ramës, ku ishte pikërisht inaugurimi i një qendre shëndetësore që sipas Mziut është inauguruar ë parë nga vetë ai.
“Edi Rama, në mungesë të bilancit të investimeve, ishte në Kamëz si struci për të ri-inauguruar rikonstruksionin e Qendrës Shëndetësore, përurimi i së cilës është bërë nga kryebashkiaku Xhelal Mziu, duke qenë se punimet kanë kohë që kanë përfunduar. Kamza ka nevojë për një tjetër qendër shëndetësore, duke pasur një numër popullsie të madhe. Për këtë Bashkia Kamëz ka si projekt zhvendosjen e qendrës shëndetësore tek ish-shkolla profesionale, duke pasur hapësirë më të madhe. Me ardhjen në pushtet të PS-së, ky projekt nuk u mor parasysh, duke mbetur në sirtarët e qeverisë. Rama e ka diskriminuar Kamzën, duke mos financuar projekte, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e zonës në infrastrukturë, arsim, shëndetësi etj. Ky Kryeministër hakmarrës vijon të diskriminojë jo vetëm Bashkinë e gjashtë në vend, kryebashkiakun e saj, por edhe qytetarët e Kamzës. Është absurd dhe i dhimbshëm një diskriminim i tillë politik, pasi në Kamëz nuk jetojnë vetëm demokratë, por edhe qytetarë të bindjeve të majta apo bindjeve të tjera, të cilët e vuajnë këtë sjellje skandaloze të Ramës. Ky Kryeministër hakmarrës ka treguar që banorët e Kamzës nuk i diskriminon thjesht politikisht, por ai herë pas here ka pasur qëndrime, duke i diskriminuar edhe për prejardhjen e tyre. Edi Rama ndodhet sot pak metra nga vendi “i krimit”, aty ku premtoi legalizime falas në fushatën e vitit 2013, një premtim i pambajtur", thuhet ne njoftimin e bashkise se Kamzes.
Ne emer te kryetarit te bashkise kane vazhduar edhe më tej me akuza në drejtim të qeverisë, duke thënë se ata hoqën nga sistemi i ndihmës ekonomike mbi 5 mijë qytetarë të kësaj bashkie si dhe kanë abuzuar me faturat e energjisë dhe ujit ndaj tyre.
"Ne I kujtojmë Kryeministrit hakmarrës se në Kamëz hoqi 5 mijë familje nga skema e ndihmës ekonomike, duke u mohuar edhe kafshatën e gojës. Papunësia është rritur më shumë në këto vite, varfëria është ulur këmbëkryq në Kamëz. Rama i ka masakruar banorët e Kamzës dhe Paskuqanit gjatë qeverisjes së tij me faturat e fryra të energjisë. Teksa baronët e drogës kanë bërë qindra miliona euro me ndihmën e qeverisë, Rama dhe policia e tij me aksionet kanë shoqëruar në polici dhe kallëzuar në prokurori qindra qytetarë në pamundësi ekonomike të paguajnë energjinë. I kujtojmë Ramës që në Kamëz dhe Paskuqan ka futur padrejtësisht e përjetësisht në borxh për energjinë e pakonsumuar mijëra familje", perfundon njoftimi.