SPORT, 29 Tetor 2023, 18:23

Vllaznia shkarkon Migen Memellin, ul në stol trajnerin që shpalli tre herë kampion Shkëndijën e Tetovës

Vllaznia shkarkon Migen Memellin, ul në stol trajnerin që shpalli tre

Vllaznia ka vendosur të shkarkojë Migen Memellin nga drejtimi i skuadrës. 

"Klubi i Futbollit Vllaznia njofton ndërprerjen me mirëkuptim të dy palëve marrëveshjen me trajnerin Migen Memelli. Falenderojmë trajnerin për gjithë kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e Vllaznisë. Pavarësisht pozicionit jo të mire të renditjes aktuale te ekipit tonë, ne vlerësojmë maksimalisht përpjekjet, ndershmërinë, integritetin e trajnerit Memelli dhe i urojmë suksese në karrierën e tij të ardhshme".

Migen Memelli është prezantuar në qershor si trajneri i ri i Vllaznisë së Shkodrës. Korçari u prezantua nga drejtori sportiv Elvis Plori, i cili ka bërë të ditur se zëvendës trajner do të jetë Ndriçim Shtubina. Pas zyrtarizimit, Memelli foli për mediat duke thënë se do të punojë me ndershmëri për ta bërë Vllazninë një skuadër sa më kompetitive.

“Dua të falënderoj klubin, njerëzit që e përfaqësojnë, presidentin dhe drejtorin Plori që më besuan detyrën e trajnerit. E di që është punë shumë e vështirë të jesh trajneri i Vllaznisë, më është ngarkuar një përgjegjësi shumë e madhe. Nisur nga ky fakt dua të shtoj, që pa dashur të futem më thellë, po i bie shkurt, e fundit është që do të mundohem në bindjen time të jem një njeri i ndershëm e sa më punëtor për objektivat e Vllaznisë.

“Objektivat? Së pari është formimi i skuadrës, të formojmë një skuadër sa më konkurruese. Pastaj është të hedhim hapa të vegjël dhe të sigurt. Ajo që na bind dhe është detyrë, është që nga nesër të fillojmë përzgjedhjen për të ndërtuar një skuadër sa më kompetitive për qytetin, tifozët e klubit. Shkodra meriton një skuadër kompetitive, një ekip që ka dëshirë për të ecur përpara. Në katër vitet e fundit Vllaznia ka fituar Kupën dhe është përfaqësuar në Europë, në sajë të kësaj vazhdimësie na bie për detyrë të bëjmë të njëjtën gjë”, tha trajneri i ri i Vllaznisë, 4 muaj më parë ku mori detyrën që e dorëzoi sot.

Sipas burimeve afër ekipit në vend të tij do të emërohet si trajner Qatip Osmanin, tekniku që ka fituar tre herë titullin kampion me Shkëndijën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut.