SPORT, 29 Tetor 2023, 17:29

Fitorja me Veronën, Allegri: I lumtur për shpirtin që tregoi Juventusi, nuk dorëzohemi kurrë

Fitorja me Veronën, Allegri: I lumtur për shpirtin që tregoi

Trajneri i Juventusit, Max Allegri u shpreh i lumtur pas fitores 1-0 me Veronën.

“Më vjen mirë sepse pashë në fushë një skuadër shumë të kthjellët dhe të rregullt. Jemi të parët, por edhe vendi i pestë nuk është larg. Kean nuk e meritonte zëvendësimin, por ishte ndëshkuar me karton të verdhë. Iu anuluan edhe dy gola dhe u duk sikur nuk ishte mbrëmja e tij, por jam shumë i lumtur me paraqitjen e tij. Zhvilloi një ndeshje të bukur, mund të rritet edhe më shumë në aspektin e mentalitetit.

Më bëhet qejfi sepse skuadra nuk hoqi dorë dhe besoj deri në fund. Krijuam shumë dhe është një kënaqësi të jesh i pari. Në skuadrën që ishte në fushë, vetëm tre futbollistë e kishin provuar edhe më parë këtë ndjesi.

Kenan Yildiz është pika ime e dobët dhe të gjithë e dinë këtë. Hyri shumë mirë në fushë dhe krijoi shanse, pastaj edhe Miretti bëri shumë mirë në momentin që u aktivizua. Kemi të rinj me shumë perspektivë, mos harroni Fagiolin.

Juventus punëtor? Më pëlqen shumë kjo, futbolli është një sport meshkujsh, futesh në fushë dhe duhet të luftosh, por edhe të luash mirë teknikisht. Është në ADN e Juventus të fitojë duke vuajtur në fushë”, – tha ai.