SPORT, 14 Mars 2022, 09:50

U gjakos pas goditjes me bërryl në fytyrë, Armando Broja alarmon Shqipërinë në prag të miqësoreve

U gjakos pas goditjes me bërryl në fytyrë, Armando Broja alarmon

Armando Broja nuk është duke kaluar momentin e tij më të mirë në “St Mary’s”.

Kundër Uotfordit, Ralf Hazenhytel, nuk e preferoi titullar përkrah Çe Adams dhe ia besoi vendin e sulmuesit 20-vjeçar Stjuart Armstrongut.

Shqiptari u hodh në fushë për Sauthemptonin vetëm në minutën e 46-të, në vend të Smollbon, për të kërkuar golin e barazimit.

Uotfordi kishte kaluar dy herë në avantazh në pjesën e parë falë golave të Kukos në minutën e 14-të dhe 34-t. Elionusi rihapi ndeshjen në minutën e 45-të për vendësit.

Por “Shenjtorët” nuk arritën dot të barazonin, madje Broja nuk e mbylli dot ndeshjen pasi pësoi një dëmtim të frikshëm në shtesë.

Dëmtimi i rrezikshëm – Në një aksion brenda zone, portieri Foster del për të spastruar zonën në një dyluftim ajror ku protagonist kishte Brojën dhe bërryli i tij godet poshtë syrit sulmuesin, duke e lënë të gjakosur dhe të tronditur në fushë.

Pasi merr ndihmën e parë nga stafi mjekësor, për arsye sigurie ai nuk mund të qëndrojë më në fushë dhe zëvendësohet me Long në minutat e mbetura.

Broja arrin të dalë nga fusha me këmbët e tij, por tani pritet të bëjë të gjitha testet për të konfirmuar se goditja poshtë zgavrës së syrit nuk ka pasoja të tjera veç ënjtjes. Kjo ishte ndeshja e gjashtë radhazi e sulmuesit të Çelsit që nuk arrin të gjejë rrugën e golit në Premier Ligë.

Hera e fundit që Broja ka shënuar në kampionat, ka qenë pikërisht ndaj Totenhemit në fillim të muajit shkurt. Por golin e fundit me fanellën e Sauthemptonit ai e realizoi ndaj Uest Hemit në 1/8-at e Kupës FA.

Nëse nuk do të ketë frakturë dhe pasoja të tjera nga tronditja, ndeshja e radhës për Sauthemptonin është të dielën kundër Mançester Sitit, e vlefshme për çerekfinalen e Kupës FA.

Por dëmtimi i Brojës shqetëson jo pak edhe Edi Rejën, në prag të dy miqësoreve të Shqipërisë në fund të muajit mars.

Kuqezinjtë do të luajnë testin e parë kundër Spanjës më 26 mars, ndërkohë që tri ditë më vonë do të presim Gjeorgjinë.