SPORT, 13 Mars 2022, 16:01

Kukësi mposht Dinamon, Skënderbeu barazon me Laçin

Kukësi mposht Dinamon, Skënderbeu barazon me Laçin

Pas katër ndeshjesh, Kukësi ka arritur të fitojë, teksa verilindorët kanë mposhtur me rezultatin 0-2 Dinamon në Kamëz, të vlefshme për javën e 25-të në Kategorinë Superiore.

Loja nisi disi e ekuilibruar, por ndeshja u zhbllokua në minutën e 17′ nga një autogol i Indrit Prodanit, i cili devijoi topin nga një goditje e Milunoviç të grushtuar nga portieri Angelo Tafas dhe topi shkon i devijuar nga ish-lojtari i Kastriotit në fundin e rrjetës.

Goli i dytë u realizua nga Luka Milunoviç në minutën e 55′ pas një krosi në zonë dhe Milunoviç ishte i saktë duke e goditur me kokë topin dhe duke mposhtur portierin Simon Simoni.

Me këtë sukses, Kukësi mban vendin e tretë në kuotën e 42 pikëve, duke iu shkëputur Vllaznisë së vendit të katërt me +3 pikë.

Ndërsa Dinamo me këtë humbje mban vendin e 8-të të renditjes në kuotën e 23 pikëve.

Është mbyllur në barazim pa gola sfida mes Laçit dhe Skënderbeut e vlefshme për javën e 25-të të Superiores. Debutim me një pikë për Skënder Gegën në krye të korçarëve, në duelin ku protagonist u bë sistemi VAR. 

Fillimisht në minutën e 65-të, kurbinasit mbetën me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Velkovskit, teksa në minutën e 92-të, Guindo tundi rrjetën, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Edhe pse me 1 lojtarë më shumë, skuadra korçare, vuajti tej mase, teksa kurbinasit ishin dominues absolut në këtë duel.