SPORT, 3 Maj 2022, 14:09

Treshja gjermane e paprekshme, Levandovski drejt ikjes/ Nga titulli te “frika” dhe largimet, nis plani për… “Bajernin 2023”

Treshja gjermane e paprekshme, Levandovski drejt ikjes/ Nga titulli te

Ndërsa sezoni 2021/22 po afrohet drejt fundit, Bajerni i Mynihut po nis planifikimet për të mbrojtur titullin e 10-të radhazi në Bundesligë. Largimet, të ardhurit dhe situatat e kontratave të lojtarëve për të cilët e ardhmja nuk është ende e qartë. Kush janë ëndrrat e merkatos dhe lojtarët që mund të jenë pjesë e skuadrës së re.

Manuel Nojer – Kapiteni dhe veterani i klubit, Manuel Nojer, nuk ka nevojë për prezantim dhe do të jetë në dispozicion për sezonin e ardhshëm. Kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2023, por është shumë afër zgjatjes për një vit tjetër.

Tomas Myler – Zëvendëskapiteni i dalë nga akademia e bavarezëve, Tomas Myler, është në një situatë identike me atë të portierit, por me një ndryshim, ai kërkon një rinovim dy-vjeçar. Për momentin kjo duket e pamundur, por do të shohim. Joshua Kimish – Ndoshta mesfushori më i mirë në botë, Joshua Kimish është pa dyshim lojtari më i paprekshëm në Mynih. Ai është programuar për të qenë lideri dhe kapiteni i ardhshëm i skuadrës bavareze në vitet e ardhshme.

Leon Gorecka – Një 8-ësh i vërtetë i lojës moderne, Leon Gorecka e ka vendosur veten në një pozicion drejtues dhe do të vazhdojë të përmbushë rolin e tij edhe në sezonin e ardhshëm me bekimin e drejtuesve bavarezë që kanë shumë konsideratë për mesfushorin gjerman.

Kingsli Koman – Francezi sapo nënshkroi një kontratë deri në qershor 2027, Kingsli Koman nuk do të shkojë askund në të ardhmen e afërt dhe me shumë mundësi do të shndërrohet në një Myler të ri.

Lukas Hernandez – Shpenzimi 80 milionë euro për një qendërmbrojtës duket se ia vlejti edhe pse për të parë Lukasin e vërtetë u deshën muaj pritje. Mbrojtja pa të duket bosh dhe as që mund të mendohet. Alfonso Dejvis – Duke u endur lart e poshtë në krahun e majtë, “Phonzie” ka ndezur vërtet botën. Megjithatë, kanadezi do t’i qëndrojë besnik skuadrës gjermane edhe për shumë sezone të tjera.

Jamal Musiala – Mund të thuash se ai është produkt i akademisë së Bajernit. “Bambi”, i preferuari i tifozëve, dhe shkathtësia e tij do të jenë rreth e rrotull edhe për sezonet e ardhshme.

Dajot Upameçano – Edhe pse në dukje i prirur ndaj gabimeve, Upa i ka përmirësuar ndjeshëm performancat e tij që nga fundi i vitit, dhe do të qëndrojë për disa vite të tjera.

Niklas Zyle – Po luan minutat e fundit me Bajernin, Niklas Zyle do t’u bashkohet rivalëve për titull, Borusia Dortmundit, muajin e ardhshëm. Korentin Tolis – Dikur një lojtar i fortë në mesfushë nëndrejtimin e Jup Hejnkes, Korentin me siguri do të largohet nga Mynihu si një lojtar i lirë. Dëmtimet e shumta nuk e lanë të shprehte kurrë talentin e madh që ka në këmbët e tij.

Robert Levandovski – Largimi duket i pashmangshëm për polakun dhe kjo u pa edhe në takimin me drejtuesit ku palët ishin shumë larg një marrëveshjeje për të rinovuar përtej 2023-shit.

Serge Gnabri – Edhe ai është në listën që nuk ka rinovuar ende edhe pse klubi mund ta bindë të qëndrojë edhe për disa vite.

Leroi Sane – Rebeli i fundit nga Mynihu. Sane nuk është i lumtur dhe që pas ndeshjes me Manincin, gjërat mund të marrin për keq.

Ekziston një listë e zëvendësuesve të mundshëm të Robert Levandovskit nëse ai largohet. Patrik Shik, Sebastian Haler, Erling Haland, Darvin Nunjez, Romelu Lukaku, Timo Verner dhe Paulo Dibala.

Për momentin mund t’i quajmë vetëm ëndrra merkatoje edhe pse potenciali që Bajerni ka si klub nuk përjashton askënd që të veshë fanellën e kampionëve.

Teksa u sigurua titulli i 32-të në histori dhe i 10-ti radhazi në Bundesligë, bavarezët kërkojnë lojtarë të tjerë që mund të vazhdojnë rrugëtimin e suksesshëm që ka lindur që nga krijimi i këtij klubi historik.

Largimet do të kërkonin zëvendësues të denjë për të përfaqësuar klubin në nivele të larta.

Oliver Kahn ka premtuar një stil tjetër merkatoje pa shumë shpenzime, por duke parë që shumica e lojtarëve të lartpërmendur mund të vijnë me parametra zero bën që bavarezët të kenë shpresa për një riformatim të klubit për sezonin e ardhshëm që nis në muajin gusht.