TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një trend spanjoll ësh të krijuar në lidhje me lojtarët e Kombëtares shqiptare në këto ditë të merkatos. Përveç Keidi Bares që kërkohet nga një ekip po në Spanjë, sirena ka edhe për Endri Çekiçin dhe Nedim Bajramin.
Duke e nisur nga lojtari i Empolit, është Valencia skuadra që interesohet për fantazistin. Bajrami nuk po aktivizohet si titullar tek Empoli dhe nga ana tjetër Gatuzo me mungesat që ka në ekip, është në kërkim të një mesfushori. Sipas Nikolo Shkirës, gazetarit të njohur italian, Valencia ka pyetur Empolin për pretendimet që ka për 23-vjeçarin.
Më parë, presidenti i toskanëve ka kërkuar të paktën 10 milionë euro për të, por kjo shifër nuk mund të qëndrojë më, duke parë edhe ecurinë që ka kaluar shqiptari këtë sezon.
ENDRI ÇEKIÇI- Pogradecari i Kombëtares ishte në fushë pasditen e djeshme me fanellën e Koniasporit, teksa pësoi një humbje në shtëpi me Ankaraguçunë.
Mesfushori ishte për 60 minuta në fushë, teksa lajmet e merkatos për të nuk po ndalen.
Ashtu siç pranoi edhe drejtori sportiv i Koniasporit, për Çekiçin ka ardhur një ofertë në klub. Sipas asaj që shkruan “ajansspor”, është klubi i Real Sociedadit që kërkon shërbimet e 26-vjeçarit, të cilit i përfundon kontrata këtë verë me klubin turk.
Kalimi në La Liga do të ishte një hap i rëndësishëm për Çekiçin, i cili këtë sezon me numrin 10 mbi shpinë ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë edhe një asist në 16 ndeshje të luajtura. Për lojtarin e Kombëtares ka pasur interes edhe nga AEK-u.
KEIDI BARE- Pasi ka qenë një nga lojtarët kyç në sezonet e mëparshme, Keidi Bare mund të largohet nga Espanjoli. Levante, për momentin është një nga ekipet që i ka vënë syrin fierakut.
Për shkak të dëmtimeve, mesfushori i Kombëtares kuqezi nuk ka mundur që të marrë shumë minuta këtë sezon dhe largimi nuk përjashtohet.
Sipas asaj që shkruan “Elgoldigital”, Espanjoli kërkon që të arkëtojë një shumë nga Bare, duke qenë se edhe reparti i mesfushës është i kompletuar dhe duke u mbështetur te dëmtimet, Keidi është bërë zgjedhje e fundit për trajnerin Diego Martinez.
Sigurisht që Bare ka një kontratë deri në qershor të 2024-ës, por Espanjoli nuk kërkon që të ndahet falas me të, pasi kërkon një shumë prej dy milionë eurosh.
Pasi u bë e ditur se lojtari është në merkato, disa klube kanë trokitur në derën e Espanjolit, sidomos nga Kategoria e Dytë spanjolle.
Dy milionë euro për një lojtar që është i dëmtuar dhe nuk dihet se kur do të kthehet janë shumë, teksa Levante është ndër ekipet e pakta që janë të gatshme që të paguajnë.