SPORT, 10 Prill 2022, 19:50

Spektakël pa fitues mes Mançester Sitit dhe Liverpulit, mbetet e hapur gara për titull

Spektakël pa fitues mes Mançester Sitit dhe Liverpulit, mbetet e

Mançester Siti dhe Liverpul nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2 në “Etihad Stadium”, me të dyja skuadrat që dhuruan spektakël në këtë takim.

Mançester Siti vazhdon të qëndrojë në vendin e parë me 74 pikë, një më shumë se Liverpul, me vetëm shtatë ndeshje nga fundi i kampionatit.

Supersfida e kampionatit anglez nis menjëherë me ritëm dhe djemtë e Guardiolës rrezikojnë të parët me Sterling. Goli nuk vonon dhe De Bruyne kalon në avantazh vendasit në minutën e 6-të. Liverpuli kundërpërgjigjet menjëherë dhe barazon shifrat me Diogo Jota (13'). 

Siti luan më mirë dhe i afrohet golit të avantazhit sërish me Kevin De Bruyne, por gjuajtja e belgut përfundon jashtë. Mendon Gabriel Jesus (37') që të rikthejë në avantazh skuadrën e Guardiolës, duke shënuar golin e dytë për “citizens”.

Ritmi është i lartë dhe pjesa e dytë nis me gol. Është Sadio Mane ai që rikthen ekuilibrat, duke çuar topin në rrjetë në minutën e 47-të pas një pasimi të saktë të Mohamed Salah.

“Të kuqtë” i afrohen përmbysjes së madhe, por Ederson tregon vlerat e tij dhe i mohon golin e avantazhit Jotas. Loja është e bukur dhe plot ritëm e raste. Gabriel Jesus provon, por gjuajtja e tij nuk shkon në rrjetë. Shënon Raheem Sterling golin e tretë për Siti, por ndërhyn VAR dhe goli anulohet për një pozicion jashtë loje.

Riyad Mahrez krijon iluzionin e golit pas një goditjeje standarde, por perla e tij përfundon ngjitur me shtyllën. Sërish Mahrez në kohën shtesë, nuk arrin që të kalojë në avantazh skuadrën e tij.

Mbyllet pa fitues një ndeshje shumë e bukur. Siti ruan kreun, por gara për titullin kampion në Premier është akoma e hapur.