SPORT, 25 Prill 2022, 09:31

Skandal në Kategorinë e Dytë/ Grushte mes lojtarëve dhe stafeve teknike të Sopotit dhe Flamurtarit, ndërhyn policia…

Skandal në Kategorinë e Dytë/ Grushte mes lojtarëve dhe

Flamurtari kryesues nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në Librazhd, në një ndeshje që u mbyll me sherr në dhomat e zhveshjes.

Sopoti kërkonte fitoren për vendin e tretë, në mënyrë që në “play off” të priste Devollin në Librazhd, por një pikë ndaj vlonjatëve bëri që të mbyllte kampionatin në vendin e katërt, paçka se do të luhet edhe një javë.

Takimi nisi me një minutë heshtje për ndarjen e parakohshme nga jeta të një emri të njohur në Librazhd si Ledio Muçaku.

Ndeshja u gjykua nga një treshe femrash me në krye arbitren e FIFA-s, Emanuela Rusta, por në fushë pati shumë tension.

Vlonjatët fituan një penallti pas rrëzimit në zonë të Indio Oliverës dhe nga pika e bardhë u tregua i saktë sulmuesi Andi Ribaj, duke çuar Flamurtarin me avantazhin 0-1 në pushim.

Librazhdiotët nuk ishin dakord me vendimet e Rustës. Sopoti reagoi mirë në pjesën e dytë, teksa në minutën e 57-të, Andi Kullafi depërton në zonë dhe detyron Qarrin ta pengojë.

Rusta akordon 11-metërsh, por golashënuesi i librazhdasve, Sejdini, gabon nga pika e bardhë. Vendësit nuk dorëzohen dhe Kullafi bëhet sërish protagonist, duke marrë sërish penallti pas ndërhyrjes së gabuar të portierit Moçka.

Këtë herë është vetë Kullafi që nga pika e bardhë barazon shifrat.

Deri në fund s’ka më gola të tjerë.

Mirëpo, nervozizmi i shoqëron ekipet në dhomat e zhveshjes. Krijohet një përplasje e panevojshme, fillimisht mes trajnerit vlonjat, Resuli, si dhe zv.trajnerit të Sopotit, Hajdari.

Këtu përfshihen lojtarët e të dyja ekipeve dhe nuk mungojnë as grushtet, por ndërhyrja e policisë bashkiake qetësoi gjithçka.