SPORT, 24 Prill 2022, 17:08

Empoli i shqiptarëve përmbys Napolin! Bajrami jep asistin e golit të fitores

Empoli i shqiptarëve përmbys Napolin! Bajrami jep asistin e golit

Empoli ka shtangur Napolin, duke e mundur me rezultatin 3-2 edhe pse skuadra e Luciano Spaletii kishte shënuar dy herë e para. Gola të shumtë edhe në Bologna-Udinese, që u mbyll me rezultatin 2-2 dhe skuadrat ndanë nga një pikë.

Napoli i habiti të gjithë, pasi e komandoi pjesën e parë të ndeshjes dhe e tentoi me ngulm golin. Ai vonoi, por erdhi në minutën e 44-7 me autor rekordmenin Dries Mertens që e çoi topin në rrjetë.

Edhe pjesa e dytë nisi në mënyrë fantastike për miqtë, pasi shënuan për tetë minuta golin e dytë me kapitenin Lorenzo Insigne. U mendua se gjithçka u mbyll aty, por në minutën e 80-të Henderon shënoi e hapi ndeshjen.

Më pas Napoli për tre minuta ia dhuroi golin e barazimit skuadrës së Empolit. Gafa e Meret u shfrytëzua nga Pinamonti, i cili e devijoi topin në rrjetë. Vendasit u hodhën në sulm dhe e shfrytëzuan goditjen e Napolit.

Nedim Bajrami dha asistin e golit të fitores, shënuar po nga Pinamonti. 3-2 dhe sërish triumf për Empolin, sikurse kishte bërë edhe në “Diego Armando Maradona”.

Një betejë e fortë u zhvillua edhe mes Bologna e Udinese, që u zhbllokua pas gjashtë minutash lojë. Vendasit shënuan me Hickey, por Udogie ia doli të barazonte në mesin e pjesës së parë, që u mbyll 1-1.

Udinese e nisi në mënyrë fantastike fraksionin e dytë të lojës. Success shënoi që në minutën e parë dhe kaloi bardhezinjtë në avantazh. Bologna u kundërpërgjigj me Sansone, i cili shmangu humbjen e skuadrës së Mihajlovic.