SPORT, 24 Prill 2022, 18:47

Kastrioti mposht Tiranën, rikthehen te fitorja Teuta dhe Egnatia

Kastrioti mposht Tiranën, rikthehen te fitorja Teuta dhe Egnatia

Janë mbyllur edhe tre takimet e fundit të javës së 30-të të kampionatit shqiptar. Kastrioti, Teuta dhe Egnatia morën nga tri pikë në fitoret e tyre kundër Tiranës, Dinamos dhe Skënderbeut.

Kastrioti vazhdon serinë e fitoreve në kampionat, pasi fitorja 1-0 ndaj Tiranës është triumfi i gjashtë rresht. Në takimin e luajtur në “Selman Stërmasi” krutanët ndëshkuan të besuarit e Orges Shehit në minutën e 17-të me Onanugën, i cili i asistuar nga Edon Hasani do të mposhte portierin Bekaj.

Dyshja sulmuese e bardhebluve, Seferi dhe Xhixha provuan të barazonin shifrat, por tentativat e tyre nuk do të konkretizoheshin siç duhet.

Emiliano Çela me djemtë e tij e detyrojnë Tiranën të presë akoma për të festuar titullin, ndërsa kjo fitore krutanët i çon në kuotën e 40 pikëve në vendin e 6-të.

Fitore minimale (1-0) mori edhe Teuta përballë Dinamos së Rodolfo Vanolit, pasi goli i shënuar nga Hebaj në minutën e 56-të do t’i dhuronte durrsakëve 3 pikë të rëndësishëm në garën për mbijetesën.

Durrsakët rikthehen kështu te fitorja në kampionat pas 3 javës, ndërsa tashmë pozicionohen në vendin e 7-të me vetëm 36 pikë, ndërkohë blutë e Vanolit mbeten në vendin e parafundit me vetëm 23 pikë.

Në Korçë me 3 pikët doli Egnatia, pasi mposhti vendasit po 1-0. Një trepikësh shumë i rëndësishëm për rrogozhinasit e Zekirija Ramadanit në garën e mbijetesës, duke marrë parasysh se dhe rivalët e tyre, Teuta dhe Kastrioti kanë marrë fitore.

Që në minutën e 31-të Skënderbeu ngel me 10 lojtarë pasi del me të kuq Elvi Berisha, i cili bëri një ndërhyrje horror ndaj Jackson. Me një lojtarë më shumë në fushën e lojës të besuarit e Ramadanit shënuan në minutën e 52-të me Imerin.

Ndërsa goli i Ademit në minutën e 63-të do të ishte i pavlefshëm për rrogozhinasit,  me futbollistin që ishte pozicion jashtë loje.

Egnatia mbetet në vendin e 8-të me 34 pikë, ndërsa Skënderbeu në vendin e fundit me 21 pikë.