SPORT, 19 Mars 2022, 17:03

Seria A/ Napoli përmbys Udinezen, Osimhen mban gjallë shpresat për titull

Seria A/ Napoli përmbys Udinezen, Osimhen mban gjallë shpresat

Napoli fiton me përmbysje ndaj Udinezez (2-1) dhe merr tri pikë të arta në luftën për titullin kampion. Djemtë e Spallettit ngjiten në kuotën e 63 pikëve në tabelën e klasifikimit, po aq sa kryesuesit e Milanit, që luajnë në mbrëmje.

Deulofeu kalon Udinesen në avantazh (22'), me një goditje nga jashtë zone. Miqtë luajnë mirë dhe Pablo Mari për pak sa nuk shënon golin e dytë për bardhezinjtë.

Napoli mundohet të reagojë dhe i afrohet golit të barazimit me Fabian Ruiz, por portieri Silvestri bën mrekullinë dhe ruan portën të paprekur. Mbyllet 0-1 për Udinesen pjesa e parë në “Maradona”.

Napoli nis vrullshëm pjesën e dytë dhe arrin të baraspeshojë shifrat me Osimhen (52'), që godet me kokë dhe çon topin në rrjetë. Vendasit marrin zemër dhe pak minuta më vonë arrijnë që të përmbysin gjithçka. Është sërish nigeriani Osimhen (63'), që shënon dhe shpërthen festa në stadiumin “Maradona”.

2-1 për skuadrën e Spallettit që tashmë kërkon të gjejë edhe golin e sigurisë. Osimhen dërgon sërish topin në rrjetë, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.

Pablo Mari merr karton të kuq dhe Udinese detyrohet të luajë me 10 lojtarë në minutat e fundit të takimit. Pavarësisht përpjekjeve të vendasve për të shënuar golin e tretë dhe 6 minutave shtesë mbyllet 2-1 sfida në “Maradona”.

Napoli merr një trepikësh me vlera dhe ngjitet në kuotën e 63 pikëve në renditje, po aq sa kryesuesit e Milanit, që do të luajnë në mbrëmje.