SPORT, 17 Mars 2022, 14:10

“Manaj e ka merituar çdo gjë”, Tiago Mota vazhdon me elozhet: Djalosh që mund të bëhet protagonist

“Manaj e ka merituar çdo gjë”, Tiago Mota vazhdon me

Rei Manaj është kthye në një nga personazhet e rëndësishëm të Specias me golat që ka shënuar së fundmi dhe me paraqitjet shumë të mira duke ndihmuar skuadrën që të largohet nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Shumë e mendonin të pamundur mbijetesën deri tre muaj më parë, por edhe falë paraqitjeve të sulmuesit, kanë ardhur pikët që e kanë shkëputur këtë ekip nga zona e ftohtë.

Ndaj edhe trajneri Tiago Mota, i cili insistoi për të afruar Manajn në skuadër në fillimin e sezonit, nuk është kursyer si zakonisht me vlerësimet për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare gjatë konferencës së sotme për shtyp, në prag të sfidës me Kaljarin.

“Çdo gjë që ka bërë deri tani, është meritë e tij.

Ka luajtur pak në fillim, pastaj nisi të luante shumë më tepër për meritë të tij, me punën që bën.

Është një djalosh që mund të jetë protagonist nga fillimi, ashtu edhe si zëvendësim gjatë ndeshjes, siç ndodhi me Kaljarin.

Duhet të vazhdojë kështu”, tha trajneri para mediave për sulmuesin i cili ka shënuar 4 gola në 21 ndeshje të luajtura në këtë edicion në Serinë A, vetëm 13 si titullar.