SPORT, 17 Mars 2022, 13:28

“Mesi dhe Kristiano nuk u treguan të zgjuar”, Ish-sulmuesi francez është i sigurt: Karriera e tyre ka përfunduar

“Mesi dhe Kristiano nuk u treguan të zgjuar”, Ish-sulmuesi

Nikolas Anelka, ish-sulmuesi i njohur francez, mendon se Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi duhet të pranojnë faktin se tashmë karriera e tyre ka përfunduar.

Lojtari i cili në karrierën e tij ka luajtur për klubet më të mëdhenj në Europë si PSG, Arsenal, Real Madrid, Liverpul, Mançester Siti, Juventus apo Çelsi, insiston se ata kanë gabuar me zgjedhjet që kanë bërë këtë verë, duke kërkuar sfida të cilat në fund rezultonin zhgënjyese për faktin se tashmë nuk janë më në kulmin e tyre.

“Karrierat e tyre kanë përfunduar dhe mendoj se të dy duhet të jenë shumë të lumtur me atë që kanë arritur në 15 vitet e fundit. Ishin në majë të botës dhe tani është normale që të ulet ritmi.

Më çuditi më shumë Mesi se Ronaldo, mendoja se Mesi do ishte për shëtitje në Francë dhe Ronaldo do të kishte më shumë vështirësi në Angli, pasi për mua Premier Liga është kampionati më kërkues në botë”, tha ai për “RMC Sport”.

“Të dy duhej të ishin treguar më inteligjentë. Kjo është ajo që u ndodh lojtarëve të cilët duan të luajnë më shumë kohë. Ata nuk u treguan të zgjuar. Duhej të mendonin që të gjenin sfida më pak të komplikuara pasi duhej të merrnin vendimet e duhura për të mbyllur karrierën në majë.

Ka lojtarë të cilët nuk dyshojnë që ta mbyllin në moshën 32, 33, 34-vjeçare për të mos u kritikuar. Unë u ndala kur isha 36, por në moshën 32-vjeçare ika në Kinë”, shpjegoi Anelka i cili në sezonin e fundit të karrierës, luajti edhe me Mumbain në Indi.