SPORT, 16 Mars 2022, 23:01

Champions League/ Juventusi turpërohet nga Vilareali, Çelsi bën “detyrën” ndaj Lilës

Champions League/ Juventusi turpërohet nga Vilareali, Çelsi bën

Juventusi i ka dhënë përsëri lamtumirën Champions League që në fazën e parë me eliminim direkt, dhe përsëri përballë një kundërshtari që vlerësohej më i lehtë në letër.

Bardhezinjtë janë mundur 3-0 në shtëpi nga Vilareali dhe kanë parë spanjollët të kalojnë në çerekfinalet e edicionit.

Barazimi 1-1 në ndeshjen e parë në Spanjë linte gjithçka të hapur në sfidën e dytë dhe në pjesën e parë, Juventusi dominoi dhe krijoi më shumë raste në kërkim të golit të avantazhit. Vlahoviç goditi traversën.

Në pjesën e dytë, loja ishte më e balancuar, por diferencën e bëri një gafë e Ruganit i cili shkaktoi penallti, duke i dhënë mundësinë Kokelë që të shënonte nga pika e bardhë (78'). Juventusi u ndëshkua edhe me golin e dytë pas një goditje këndi, këtë herë të shënuar nga Pau Torres (86'). Vulën e vendosi penalltia e Danjuma në minutat shtesë të ndeshjes (90'+2), duke dekretuar suksesin e Vilarealit që e sheh përsëri veten mes tetë skuadrave më të mira në kontinent.

Çelsi fitoi 2-1 ndaj francezëve të Lilës, ndërkohë që ndeshjen e parë e kishte fituar 2-0 në Londër.

Turku Burak Jillmaz, ishte ai që zhbllokoi i pari sfidën në minutën e 38-të, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë për Lilën, ndërkohë që “Blutë” e Tuhel, arritën të përmbysnin gjithçka. Fillimisht ishte Pulisiç ai që në minutën e 45'+3 vendosi baraspeshën, teksa për golin e fitores, mendoi kapiteni Azpilikueta në minutën e 71-të.