SPORT, 2 Mars 2022, 13:59

Mbape më pranë firmës, zbulohet oferta e re e çmendur e PSG-së që kalon çdo lloj rekordi

Mbape më pranë firmës, zbulohet oferta e re e çmendur e

Kilian Mbape duket se është shumë më pranë firmës me PSG-në për rinovimin e kontratës së tij. Sulmuesi francez ka gjetur edhe një herë formën më të mirë me parisienët dhe duket se Real Madrid po kthehet përsëri në një opsion të dytë për futbollistin. Kjo, edhe për faktin e thjeshtë se ka marrë një ofertë të parefuzueshme nga parisienët.

Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, sheikët nga Katari që zotërojnë klubin, kanë vendosur të hapin thesin, me kuptimin e plotë të fjalës, duke e bërë Mbape një rekordmen absolut në futbollin botëror.

Më konkretisht, ai do të përfitojë një bonus besnikërie që në momentin e firmës prej 200 milionë eurosh bruto, 100 milionë euro neto! Një shifër e jashtëzakonshme që kalon çdo lloj bonusi besnikërie në futbollin botëror.

Ndërkohë, edhe rroga do të jetë rekord, pasi do të firmosë për një zgjatje të marrëveshjes për 2 ose 3 vite, me pagën e tij që shkon nga 50 në 53 milionë euro neto në vit. Përveç kësaj, në verën e vitit 2024, Mbape do të jetë i lirë që të negociojë largimin e tij nga parisienët nëse e dëshiron.

Dhe nëse vendos të qëndrojë deri në vitin 2024, klubi i ka garantuar atij se do të mund të marrë pjesë me Francën në Lojërat Olimpike të vitit 2024 në Paris, që janë një prej objektivave të tij të mëdhenj.