TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bajerni i Mynihut pësoi një humbje të turpshme në fundjavë nga Bohumi, ku u mund në transfertë me shifrat 4-2. Gjithçka u duk e lehtë për kampionët në fuqi, ku në fillim të sfidës, Levandovski shënoi për të kaluar ekipin e tij në avantazh. Por, çdo gjë ndryshoi shumë shpejt për ekipin e Nagelsmanit, i cili pësoi 4 herë që në pjesën e parë duke mos arritur të hyjnë në lojë.
Në pjesën e dytë, sërish Levandovski ishte ai që u mundua të shkurtonte diferencat, por në fund Bajerni humbi duke bërë që diferenca me Borusian të shkojë sërish në 6 pikë.
Gjithsesi, kampionët janë ende në vendin e parë me 6 pikë diferencë me Borusian që nuk gaboi dje në Berlin duke fituar me Unionin.
Humbja në transfertë ndaj Bohumit me shifrat 4-2, teksa pësoi të katër golat në pjesën e parë të ndeshjes nuk i ka pëlqyer Joshua Kimishit, i cili ka shprehur hapur kritikat që kishte për shokët e skuadrës pas kësaj ndeshjeje.
“Të gjithë duhet të pyesin veten nëse ne po japim gjithçka në fushë në çdo javë. Po ndodh shumë shpesh, nuk e shihja këtë në të kaluarën, pasi kemi pësuar 4-5 gola disa herë. Ishim me fat që ishte në Bundesligë dhe ishim 9 pikë para. Ishte një humbje e merituar”, ishin fjalët e mesfushorit gjerman.
“Mendoj se dhuruam paraqitjen më të dobët të sezonit në një ndeshje. Dhe nuk është hera e parë që na ka ndodhur. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë moment.
Kemi humbur të gjithë virtytet tona. Duhet të pyesim veten nëse ky është mentaliteti te Bajerni. Nëse ndodh një herë mund të pranohet, por jo disa herë, me të drejtë tifozët mund të ankohen për këtë ndeshje m*** që kemi bërë.
Sigurisht që merita kishte edhe Bohumi i cili nuk fali dhe shfrytëzoi në maksimum gabimet tona duke merituar ndoshta të shënonte dhe një gol më shumë”.
Kimish ishte një nga të paktët lojtarë që spikati në ndeshjen ndaj Bohumit. Por, paraqitja e gjermanit nuk mjaftoi për të evituar humbjen e 4-t në 22 ndeshjet e luajtura në Bundesligë.
Kujtojmë që vetëm në fazën e dytë skuadra kampione ka pësuar dy humbje, atë ndaj Gladbahut në ndeshjen e parë dhe më pas kjo e së shtunës ndaj Bohumit, kundërshtarë të cilët në letër janë konsideruar të lehtë.
“Tani duhet të përveshim mëngët dhe të mendojmë që të gjejmë vazhdimësinë, kampionati është ende i gjatë dhe tani me nisjen e Champions-it, gjithçka do të bëhet edhe më e ndërlikuar për ne.
Jemi Bajerni dhe si të tillë duhet të luajmë, objektivi është kampionati, por për ta merituar atë duhet të djersijmë më shumë në fushën e lojës. U kemi një borxh tifozëve dhe shpresojmë t’ua rikthejmë sa më shpejt”, përfundoi Kimish.
Bajerni i Mynihut nuk pësonte katër gola në pjesën e parë që nga viti 1975, teksa ishte ndëshkuar atëherë nga Ajntraht Frankfurt që ia shënonte katër gola në një pjesë skuadrës më të titulluar në Gjermani.
Një fakt tjetër interesant është se bavarezët nuk njihnin humbje ndaj Bohumit që nga viti 2004. Plot 18 vjet nuk kishte skuadra blu që mundte skuadrën bavareze, fitorja e së shtunës ishe pa dyshim një arritje e madhe për skuadrën që ka ardhur këtë sezon nga Bundesliga 2 dhe që aktualisht renditet në vendin e 11-të në kampionat me 28 pikë në 22 ndeshje.