SPORT, 7 Shkurt 2022, 09:08

Debutim me gol te Juventusi, Vlahoviç: Gjithçka spontane me Dibala, ja çfarë më tha Alegri

Debutim me gol te Juventusi, Vlahoviç: Gjithçka spontane me

Dushan Vlahoviç ka bërë një debutim ëndrrash me Juventusin, duke u bërë protagonist që në ndeshjen e tij të parë me një gol. Sulmuesi shënoi në suksesin 2-0 ndaj Veronës dhe bëri që bardhezinjtë t’i afrohen edhe një hap më shumë zonës së Ligës së Kampioneve që duket për momentin objektivi i bardhezinjve.

Në fjalët e tij pas sfidës, lojtari theksoi se fitorja ishte më e rëndësishme se fakti që kishte shënuar gol, ndërsa zbuloi edhe fjalët e Alegrit para se të zbriste në fushë.

“Ishte shumë e rëndësishme të fitonim këtë ndeshje, pasi këto janë më të vështirat pas ndalesave. Kemi pasur përqasjen e duhur dhe ia dolëm të fitonim. Duhet të falënderoj shokët e skuadrës dhe trajnerin që më kanë pritur shumë mirë, po mundohem të kuptoj gjithçka dhe duhet vetëm të vazhdoj kështu. Gjëja më e rëndësishme është fitorja e sotme.

Porositë e Alegrit? E rëndësishme është të bësh gol, por unë dua që të përmirësohem nga çdo pikëpamje. Ai më tha që të mos kisha stres, pasi gjithçka do shkonte mirë.

A kënaqëm me Champions? Siç e kam thënë në konferencë, Juventusi ka si synim gjithmonë objektivat më të lartë dhe jam këtu për të dhënë kontributin tim. Por pastaj duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje. Do të bëjmë llogaritë në fund të sezonit.

Festimi me Dibala? Ishte gjithçka spontane”, tha sulmuesi i Juventusit.