TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Juventusi vazhdon përpjekjet për të rikthyer Randal Kolo Muaninë në Torino, por negociatat me PSG-në nuk po japin frytet e pritura. Sulmuesi francez, pas një gjysmë sezoni pozitiv me fanellën bardhezi, ka shprehur dëshirën për të veshur sërish ngjyrat e “Zonjës së Vjetër”, por për momentin marrëveshja mbetet larg.
Klubi francez synon një shitje përfundimtare për të rikuperuar një pjesë të 93 milionë eurove të investuara verën e kaluar, kur e transferoi sulmuesin nga Frankfurti. Drejtori sportiv i PSG-së, Luis Kampos, ka vendosur një çmim fillestar prej 50 milionë eurosh, që mund të ulet deri në 40 milionë, por gjithsesi një shumë jashtë mundësive të menjëhershme financiare të Juventusit. Nga ana e tyre, bardhezinjtë kanë propozuar formulën e huazimit, fillimisht me të drejtë blerjeje, skemë që është refuzuar nga PSG.
Megjithatë, në javët e fundit, francezët janë treguar më fleksibël duke pranuar një huazim me detyrim blerjeje, por vetëm nëse vendosen kushte të favorshme për një shitje të sigurt. Propozimet e deritanishme të drejtuesit juventin Komoli nuk kanë bindur, pasi janë bazuar në objektiva sportive të pasigurta, si fitimi i titullit apo kualifikimi në Ligën e Kampionëve, kushte që PSG i konsideron tepër të rrezikshme.
Ndërkohë, presioni ndaj Juventusit rritet edhe nga konkurrenca. Çelsi dhe Mançester Junajtid kanë hyrë në garë për firmën e Kolo Muanisë. Nëse “Djajtë e Kuq” arrijnë të bindin lojtarin, atëherë Juventusit mund t’i hapet një tjetër pistë, ajo e Rasmus Hojlund. Sulmuesi danez, i konsideruar i tepërt në projektin e Junajtidit, mund të jetë i disponueshëm në formë huazimi me të drejtë blerjeje, një zgjidhje interesante për torinezët.