SPORT, 28 Korrik 2025, 18:00

Leao po ndryshon “fytyrë”, Maksi synon ta rilindë te Milani

Leao po ndryshon “fytyrë”, Maksi synon ta rilindë te

Është ende futboll vere, por në shtëpinë kuqezi tingëllon tashmë një muzikë ndryshe. Me ardhjen e trajnerit Masimiliano Alegri, te Milani duken qartë shenjat e një fryme të re. Dhe pikërisht në këtë fillim premtues, tifozët, të cilët kanë reaguar pozitivisht që në fazën e parë të fushatës së abonimeve, janë entuziazmuar sidomos nga paraqitja e Rafa Leaos kundër Liverpulit.

Sulmuesi portugez, më në fund i ftohtë dhe i saktë para porte, ka luajtur si një qendërsulmues i mirëfilltë, duke shpërthyer në kundërsulme të shpejta dhe efikase, një tipar kyç i “Milanit të ri” të Alegrit. Një skuadër që ndërton lojën nga mbrojtja, shfrytëzon vështirësitë dhe shpërthen në momentin e duhur, një filozofi që mund të funksionojë në mënyrë perfekte kundër skuadrave që preferojnë të luajnë me topin. Megjithatë, Alegri është i vetëdijshëm se shumë skuadra do të mbrohen fort në “San Siro”, ndaj po mendon edhe për një plan B.

Në këtë drejtim, afrimi i mesfushorit Ardon Jashari dhe një qendërsulmuesi të mirëfilltë shihet si një hap i domosdoshëm për të ndërtuar një skuadër më të ekuilibruar dhe të gjithanshme. “Futbolli është i thjeshtë”, përsërit shpesh trajneri nga Livorno dhe deri diku ka të drejtë. Në fund, gjithçka varet nga individët. Dhe teksa shohim Leaon të përshtatur kaq shpejt në projektin e ri teknik, fansat kanë arsye për të qenë optimistë. Alegri, të paktën për momentin, duket se ka gjetur çelësin për të motivuar yllin portugez, i cili duket i mahnitur nga autoriteti dhe e kaluara fituese e teknikut italian.