SPORT, 27 Korrik 2025, 18:40

Takimi i të martës vendos për fatin e Lukman te Interi, zikaltrit duan të kopjojnë Juventusin

Takimi i të martës vendos për fatin e Lukman te Interi, zikaltrit

Dita e martë pritet të jetë ajo ku do të vendoset përfundimisht për transferimin apo jo të Ademola Lukman te Interi. Sulmuesi nigerian është kthyer në dëshirën e madhe të merkatos së zikaltërve, por lëvizja e tij nga bergamaskët nuk është finalizuar deri tani për disa arsye.

E para është që Interi ka ofruar 40 milionë euro dhe Atalanta kërkon 50. Por në mediat italiane qarkullon sot lajmi se Interi është bërë gati të rritë ofertën e pjesës fikse me 2-3 milionë. Më pas, me disa klauzola e bonuse, mund të afrohet me shifrën që kërkon Atalanta.

Por pjesa tjetër që Interi po mundohet të realizojë, është të bindë Atalantën të pranojë të njëjtat kushte si Juventusi. Bardhezinjtë, kur transferuan Kopmainers, siguruan një akord që shifra që kalonte në arkat e bergamaskëve, të shtrihej në disa këste në vite të ndryshme. Interi shpreson të arrijë të bëjë të njëjtin akord, pasi kjo do të ndihmonte klubin t’u afrohej kërkesave ekonomike të skuadrës që ka në pronësi Lukman.

Të martën, kur drejtuesit e klubeve italiane të takohen për Asamblenë e Ligës, do të ketë një takim të veçantë edhe mes drejtuesve të Interit dhe atyre të Atalantës. Zikaltrit e Milanos kërkojnë të mbyllin gjithçka shpejt, për të pasur një ide të qartë të skuadrës me të cilën Kivu do të punojë në vijim.