AKTUALITET, 6 Shkurt 2018, 18:20

Sondazhi/ Ja kë zgjedhin votuesit shqiptarë për presidentin e ri të FSHF

Në fillim të muajit janar, kur u zyrtarizuan edhe kandidaturat për presidentin e ri të FSHF, Panorama Sport, në faqen online, nisi sondazhin për publikun shqiptar, se cilin do të zgjidhte në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend.

Për rreth një muaj, në sondazh morën pjesë më shumë se mbi 7700 persona, duke shprehur mendimin e tyre, nëse do të votonin Armand Dukën, Bashkim Finon apo një kandidat tjetër.

Tashmë, një ditë para 7 shkurtit, datë në të cilën do të mbahen edhe zgjedhjet në Asamblenë e Përgjithshme, sipas votave të shqiptarëve, Armand Duka meriton të rizgjidhet president i FSHF. Duka ka marrë 54% të votave, duke lënë pas Bashkim Fino.

sondazhi

Nga ana tjetër, për kandidaturën e Finos kanë votuar 32% e pjesëmarrësve në votim. Të shumtë kanë qenë ata të cilët nuk kanë preferuar asnjë nga dy emrat e mësipërm, por do të donin një prurje tjetër si kandidaturë për presidentin e ri të FSHF. Gjithsesi, do të jenë anëtarët e Federatës ata që do të votojnë ditën e nesërme, nga ku do të merret edhe vendimi përfundimtar se cili do të jetë emri që do të drejtojë Federatën Shqiptare të Futbollit për katër vitet e ardhshme.