AKTUALITET, 6 Shkurt 2018, 15:13

Anëtarësimi në BE brenda vitit 2025, perspektivë realiste për Serbinë dhe Malin e Zi, Shqipëria ende larg

Anëtarësimi në BE brenda vitit 2025, perspektivë realiste

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini  dhe Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johanes Hahn, kanë mbajtur një konferencë për shtyp lidhur me Strategjinë e re të BE-së, për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë konferencës, Mogherini dhe Hahn kanë thënë se strategjia e re për Ballkanin Perëndimor, krijon një moment të ri dhe do të shërbejë për përcaktimin e rrugës drejt anëtarësimit në BE. Mogherini ka thënë se të gjashtë vendet që aspirojnë integrimin në BE, duhet të kryejnë reformat e përcaktuara.

"Duhen reforma, në mënyrë që qytetarët të kenë të njëjtat të drejta dhe standarte si në Bashkimin Europian"

Lidhur me spekulimet që kanë lindur, pas përmendjes së vitit 2025, si një datë e mundshme për anëtarësim, të dy përfaqësuesit janë shprehur se kjo datë është thjesht një perspektivë dhe jo një afat, për disa nga vendet.

"E di që, ka patur shumë diskutime lidhur me datën, 2025. Është e qartë se kjo datë është thjesht një perspektive, jo një afat. Është një perspektivë, realiste, për ata që kanë nisur negociata por edhe për shtetet që do të nisin negociatat", u shpreh Mogherini.

Komisioneri Hahn, ka thënë se anëtarësimi në vitin 2025, është mjaft ambicioz, megjithatë mund të arrihet nga disa vende,. "Duhet të theksoj, se data [2025], është një perspektivë. Është e mundur që njëri apo tjetri kandidat të anëtarësohet. Është një perspektivë mjaft ambicioze".

Në strategjinë e publikuar ditën e sotme, thuhet se Serbia dhe Mali i Zi, mund të anëtarësohen deri në vitin 2025, ndërsa Shqipëria nuk përmendet në këtë afat. Në këtë dokument, thuhet se Shqipëria dhe Maqedonia janë pranë hapjes së negociatave të anëtarësimit, por duhet të plotësojnë të gjitha kushtet.

/TPZ.AL/