AKTUALITET, 6 Shkurt 2018, 14:00

Hahn: Dera është e hapur, duhen rezultate

Hahn: Dera është e hapur, duhen rezultate

“Dera jonë është e hapur, por për të kaluar duhet të sjellësh rezultatet e duhura”. Është kjo deklarata e komisionerit të BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, i cili ka folur për revistën gjermane, “Der Spiegel”.

Përfituesit kryesorë në dokumentin e strategjisë së KE për Ballkanin, pritet të jenë Serbia dhe Mali i Zi.

KE nënvizon se të dyja këto vende mund të anëtarësohen në BE që në vitin 2025, nëse bëhen reformat e duhura.

Duhet theksuar se është hera e parë që KE përmend një afat konkret anëtarësimi për këto vende. “Me vullnet politik, jetësimin e reformave dhe zgjidhjet që presin të grindjeve me fqinjët, Mali i Zi dhe Serbia mund të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025”, shkruhet në dokumentin e strategjisë së Komisionit Europian.

Por viti 2025 nuk është afat i vendosur përfundimisht. Politikani gjerman, eurodeputet e kryetar i komisionit për politikën e jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister theksoi në një intervistë për medien gjermane “Funkemediengruppe”, se afati i 2025-s është i hapur si kohë dhe synon t’i japë dinamikë procesit.

“Data konkrete e anëtarësimit të një vendi të ri anëtar varet nga koha se kur “ky vend do të përmbushë vërtet kriteret e forta ligjore, politike dhe ekonomike”, kanë thënë McAllister.

Po sipas “Der Spiegel”, që bazohet në të dhëna të Komisionit Europian, Shqipëria dhe Maqedonia mund të përfitojnë rekomandim për hapjen e negociatave.