AKTUALITET, 27 Shkurt 2018, 20:12

Skandali/ Punonjës të OKB kërkojnë favore seksuale ndaj grave siriane në këmbim të ndihmave

Skandali/ Punonjës të OKB kërkojnë favore seksuale ndaj

“Punonjës të OKB dhe organizatave të tjera humanitare kanë kërkuar favore seksuale ndaj grave siriane”, ka qenë kjo deklarata e bujshme e një punonjëse gjatë një interviste të dhënë për BBC.

Daniella Spencer tha se një fenomen i pazakontë është evidentuar në qendrat e shpërndarjes së ndihmave, ku shumë gra siriane refuzojnë të shkojnë në këto qendra, pasi druhen mos u bëhet shantazh për dhënien e ndihmave.

“Kujtoj një grua që qante në një dhomë, ishte shumë keq. Kjo grua siriane ndodhet në një qendër dhe pret të marrë gjëra të ndryshme për të jetuar si ushqim apo sapun, por, është një burrë që e shantazhon, duke i kërkuar të bëjë seks me të në këmbim të atyre ndihmave”, ka thënë punonjësja Spencer.

Punonjësja pretendon se disa agjenci humanitare edhe pse ishin në dijeni nuk kanë reaguar, pasi duke përdorur palë të treta dhe zyrtarë lokalë është e vetmja mënyrë për të dërguar ndihma në zona të rrezikshme të Sirisë ku stafi ndërkombëtar nuk ka qasje, shkruan BBC.

Fondacioni i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë ndërmori vitin e kaluar një raport të bazuar në dhunën gjinore në rajon dhe zbuloi se asistenca humanitare po shkëmbehet me favore seksuale në shumë zona të Sirisë. Sipas raportit femrat apo vajzat martoheshin me zyrtarët për një periudhë kohe të shkurtër për shërbime seksuale në mënyrë që të siguronin ushqim.